7 Shkurt, 2021 - 5:28 pm
Saranda shumë shpejt do të ketë një muze të ri Arkeologjik, si pjesë të paketës turistike të qytetit.
Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Sarandës u shpreh se, përveç Butrintit, paketa turistike kulturore e Sarandës do të ketë një muze arkeologjik dhe është menduar të ndërtohet tek godina ku ka qenë materniteti i qytetit.
“Kemi rënë dakord, t’i japim Sarandës një muze arkeologjik. Butrinti është aty, një aset kulturor botëror, por jo të gjithë kur vijnë në Sarandë shkojnë deri në Butrint. Ata që vijnë në Sarandë, të huajt apo shqiptarët, nuk kanë pse mos ta kenë një muze arkeologjik dhe ish-materniteti është një vend ideal për të patur një muze arkeologjik. Pastaj mund të bashkëpunohet edhe me parkun e Butrintit për të pasur dhe zonat, seksione të caktuara të këtij muzeu të dedikuara të parkut të Butrintit dhe pastaj kush do të shkoj në Butrint le të shkoj dhe atje”,- tha Rama.
“Kisha e 40-shenjtorëve lart duhet kthyer në një aset të fortë të paketës turistike. Rruga ka shkuar deri atje, nuk është e standardeve më të larta, jam dakord që duhet ndriçimi më i mirë i Kishës dhe besoj se kryetari i Bashkisë për këtë po mban shënime”,- tha Rama. /a.a/ KultPlus.com