27 Gusht, 2019 - 8:40 pm
Puna për restaurimin dhe ekspozimin e gurit me piktograme, të zbuluar rastësisht në fshatin Xhuxhë, në Fan të Mirditës do të nisë shumë shpejt. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila zhvilloi një takim me banorët e e Xhuxhës në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, ku ky gur ndodhet aktualisht.
“Një vend legjendash, pas së cilave banorët janë lidhur brez pas brezi. “Aty ka qenë fillimi i botës”, thotë një nga burrat më të vjetër të fshatit Xhuxhë të Luginës së Fanit, në Mirditë, që ka marrë rrugën për në Tiranë për të ndjekur fatin e pllakës së gurit me piktograme, që u zbulua rastësisht”, shprehet ministrja Margariti.
Banorët kanë kërkuar në takimin me ministren edhe kryerjen e gërmimeve arkeologjike në vendin ku gjet guri.
Ministrja thekson se “të shqetësuar me të drejtë për një pjesëz të historisë së zonës së tyre, ata na kërkuan jo vetëm restaurimin dhe studimin e gurit, por edhe për kryerjen e gërmimeve arkeologjike në territorin e zbulimit, vendosjen e tabelave orientuese, pse jo dhe shtrimin e rreth 17 kilometrave rrugë që të çon atje”.
“Të gjithë ramë në një mendje, që ardhja e gurit në Tiranë jo vetëm do ta shpëtojë këtë objekt të shpallur pasuri kulturore, por edhe do të orientojë vëmendjen e arkeologëve, studiuesve, historianëve dhe turistëve”, – nënvizoi Margariti.
Ky gur prehistorik është një objekt me rëndësi të veçantë për trashëgiminë tonë kulturore. Ai është zbuluar disa javë më parë në Xhuxhë të Fanit të Mirditës dhe më 18 gusht u zhvendos në Muzeun Historik Kombëtar.
Objekti konsiderohet si një nga zbulimet më të rëndësishme nga arkeologët dhe renditet krahas “simotrave” të zbuluara në vitet ‘60-‘70 në Xibër të Matit, në Rubik, apo në Lepenicë të Vlorës. /KultPlus.com