15 Prill, 2018 - 7:00 pm
South Outdoor Festival i kthyer tashmë në një traditë me qëllim promovimin e fshatrave për zhvillimin e turizmit këtë vit do të startojë në Vuno dhe do të zgjas për tri ditë nga data 27 deri më 29 prill, shkruan KultPlus.
Disa nga fshatrat ku pjesëmarrësit e këtij festivali do të eksplorojnë bukurinë dhe misteret që fshehin janë Kuçi, Kudhësi, Çorraj, Qeparoi dhe Borshi, ku nuk do të mungojnë edhe aktivitetet e plazhit (kayaking, zhytje, volejboll, plazh) në gjiret e mahnitshme të Jalës dhe Gjipesë! Argëtimet gjatë ditës dhe çlodhja në mbrëmje rreth zjarrit në kampin me çadra të ngritura, do të jenë thelbi i mikpritjes së këtij festivali. Nuk do të mungojë edhe muzika live, si dhe iso-polifonia ( Trashëgimia Kulturore e ruajtur nga UNESCO), që do të dëgjohet gjatë gjithë festivalit.
Fshati i Vunoit ka një arkitekturë të pasur dhe unike në gjithë zonën e bregdetit dhe konsiderohet si një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, ku gjendet në afërsi të Kishës së Shën Spiridonit. Atje do të mbahen shumë aktivitete, do të ketë muzikë, kampe, lojra, seminare, forume, aktivitetet kulinarie, etj. Ujërat e mrekullueshme të plazhit të Jalës, ofrojnë mundësi për sportet ujore. Aktivitete të tjera si hiking, biking, do t’i ofrojë mali.
Vunoi ka një pamje magjepsëse, ku të jep përshtypjen e një Akropoli të madh që del nga shkëmbinjtë. Është një shembull i shkëlqyer i arkitekturës rajonale si në shtëpitë dhe kishat, të ruajtura që nga shekulli i tetëmbëdhjetë. / KultPlus.com