Seit Lipa, gjyshi i Duas dhe dikur Drejtori i Institutit të Historisë

16 Mars, 2018 - 5:25 pm

Emri i tij mund të jetë harruar nga gjeneratat e reja, por kontributi i tij e bën atë pjesë të historisë.

Doktor i Shkencave Historike dhe dikur Drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës gjatë viteve 1990-1995, Seit Lipa do të kujtohet për kontributin e tij në këtë fushë të shenjtë.

Seit Lipa ka lindur në vitin 1937 ndërsa ka ndërruar jetë në vitin 1999, me datë 2 korrik.

Ai është gjyshi i këngëtares së njohur Dua Lipa.

Historiani e intelektuali i shquar, në vitet e 70-ta, ishte i njohur, jo vetëm për kulturën e tij, por edhe për pamjen, sharmin e elegancën e tij mashkullore.

Këtu e kemi një fotografi të z.Seit dhe një kopertinë të librit “Kosova në periudhën e rindërtimit”, botuar nga Instituti i Historisë në vitin 1982, shkruan KultPlus.

Kuvendi i Serbisë merr vendim për vendosjen e masave të dhunshme në Institutin e Historisë të Kosovës. Me vendosjen e këtyre masave u shkarkua drejtori legjitim i Institutit Dr. Seit Lipa dhe u emërua drejtoria e dhunshme në krye me serbin Sreten Martinoviq.

Kuvendi i Serbisë më 30 korrik 1992 miratoi vendimin për ndërprerjen e punës së Institutit të Historisë të Kosovës. Me këtë edhe punëtorët e tjerë shqiptarë të Institutit u larguan nga puna, ndërsa punëtorëve serbo-malazez iu sigurua puna nëpër institucione të tjera.

Në këtë kohë u uzurpua biblioteka e pasur e Institutit, që në fondin e vet kishte rreth 20.000 libra, si dhe dokumentacioni i pasur i vjelë në arkiva të ndryshëm të Jugosllavisë dhe vendeve të tjera të botës.

Në vitin 1998, në Pejë, po përmendim se Seit Lipa bashkë me Sylë Dreshajn botoi librin “Prefektura e Pejës 1941-1944”, ku flitet për gjendjen sociale dhe ekonomike të qytetit gjatë kësaj periudhe, përmbledhur në 264 faqe. / KultPlus.com

(Fotografia e Seit Lipës, e marrë nga Kosovar Basha)

Të ngjajshme