Sekretet e Egjiptit të lashtë, 200 vjet nga deshifrimi i hieroglifëve

13 Tetor, 2022 - 7:45 pm

Hieroglifët dhe zbulimi i Egjiptit të lashtë janë kryefjala e një ekspozite të re në Muzeun e Londrës. Shënohen 200 vite që nga deshifrimi i shkrimeve të veçanta pas shekujsh përpjekjesh të dështuara për t’i kuptuar.

Ekspozita e re tregon historinë e këtij zbulimi të jashtëzakonshëm.

Më shumë se 240 objekte përshkruajnë udhëtimin për të kuptuar simbolet misterioze, deri te korrespondenca midis Thomas Young dhe Jean-Francois Champollion, francezi që më në fund hapi kodin në 1822.

“Festojmë 200 vite që nga koha kur u deshifruan hieroglifët egjiptianë. Ngjarja e madhe ndodhi në vitin 1822 dhe jeni në vitin 2022, po festojmë këtë arritje të jashtëzakonshme”, tha Ilona Regulski, kuratore në Muzeun e Londrës.

Ky ishte çelësi për të zhbllokuar një gjuhë të lashtë dhe sekretet e qytetërimit që e fliste atë. Guri i Rozetës është i gdhendur me tre gjuhë: hieroglifë, demotike dhe greqishtja e vjetër.

Greqishtja e lashtë u kuptua kur francezët zbuluan pllakën në 1799. Pra, duke krahasuar tekstet, studiuesit përfundimisht ishin në gjendje të deshifronin hieroglifët e lashtë egjiptianë.

“Për një kohë të gjatë, hieroglifët konsideroheshin simbole. Ata konsideroheshin se kishin kuptime magjike, që përmbanin njohuri sekrete. Dhe ky ishte një perceptim që jetoi me të vërtetë gjatë mesjetës, gjatë Rilindjes dhe në fakt deri në shekullin e 17-të. Deshifrimi na bëri të kuptojmë se hieroglifët, megjithëse duken si piktura, përfaqësojnë një gjuhë të folur”, u shpreh kuratorja.

Pasi hieroglifët u deshifruan, studiuesit ishin në gjendje të mësonin shumë më tepër për egjiptianët e lashtë.

Ekspozita përfshin huazime të objekteve nga koleksionet kombëtare dhe ndërkombëtare, disa prej të cilave rrallë shfaqen në publik. Muzeu shpreson se këto objekte do t’i ndihmojnë vizitorët të reflektojnë mbi jetën e njerëzve të lashtë.

Ekspozita “Hieroglifët: zbulimi i Egjiptit të lashtë” hapet më 13 tetor dhe zgjat deri më 19 shkurt 2023./Gazeta Tema/ KultPlus.com

Të ngjajshme