28 Dhjetor, 2017 - 10:10 pm
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli insiston në idenë e tij që të transferohet Kampusi i Universitetit të Prishtinës nga zona e qendrës, në një zonë periferike të kryeqytetit.
E në zonën ku momentalisht ndohet Kampusi Universitar, Pacolli thotë se është paraparë ndërtimi i një xhamie. Sipas Pacollit, kjo do të bëhet vetëm atëherë kur të sigurohet hapësira e nevojshme për studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
“Aty unë e kam paraparë ndërtimin e një faltoreje, e cila është një arkitekturë super moderne dhe është një arkitekturë e cila rrallë kund mund të shihet”, ka thënë Pacolli për televizionin Kohavision.
Por, ai ka thënë se fillimisht duhet të arrihet një kompromis me Universitetin e Prishtinës.
“Nëse ne arrijmë kompromisin që të zhvendoset kampusi universitar jashtë zonës së qytetit, atëhere vije pika 2 – do të ishte hipokrite që të paramendohet se ne do të ndërtojmë një xhami mbi universitet”, deklaroi nënkryetari i Prishtinës.
Një projekt të tillë, Selim Pacolli e kishte paraqitur gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale, kur ai kandidonte për kryetar të Komunës së Prishtinës, nga radhët e AKR-së.
AKR dhe Vetëvendosje kanë një marrëveshje koalicioni mes vete, për të qeverisur me Komunën e Prishtinës. / KultPlus.com