21 Qershor, 2018 - 9:02 pm
Nazmi Bajra edhe pas gati 30 vjetwsh e ka të freskët ngjarjen tragjike të helmimit të nxënësve kosovarë në pranverën e vitit 1990, pjesë e së cilës ishte edhe vetë ai.
Ai kujton momentin kur uji kishte mbuluar këtë hapësirë të shkollës së mesme profesionale “Fan Noli” në Podujevë, raporton KTV.
kohës kur bashkë me nxënës të tjerë u urdhëruan ta pastronin dyshemenë e mbuluar me ujë, që kishte arritur deri në 12 centimetra, atyre kishin nisur t’u shfaqeshin simptomat e para si: shtrëngim muskujsh, vjellje, alivanosje e çrregullim ndjenjash, që atë dhe shumë të tjerë i la me pasoja.
Bajra tregon se si në spitalin e Prishtinës, pas analizave që i ishin bërë, mjekët kishin konstatuar se bëhej fjalë për helmim me një lloj helmi toksik.
I helmuar kishte mbetur edhe Avdi Seta, i cili në atë kohë ishte maturant.
Ai thotë se pas trajtimit në spital, për të shpëtuar, ishte detyruar të kërkonte shërim edhe në Gjermani, ku qëndroi dhe u trajtua atje për një periudhë të gjatë.
Pikërisht për faktin se ky akt i sigurimit sekret serb nuk u ndëshkua kurrë, të prekurit nga helmimi në atë kohë, nga Podujeva kanë vendosur që ta padisin Serbinë në Gjykatën e Strasburgut.
Tashmë është formuar Këshilli Organizativ, i cili ka angazhuar një avokat ndërkombëtar për t’u marrë me këtë çështje.
Ndërkaq, ka nisur të mblidhet dokumentacioni i nevojshëm i secilit të helmuar të asaj kohe, në mënyrë që të merren si dëshmi për këtë rast.
Podujeva nuk ishte e vetmja komunë që pësoi nga helmimi.
Një helmim masiv i nxënësve nëpër shkolla ku kryesisht mësonin shqiptarët, filluan në mars dhe vazhduan gjatë gjithë muajve të pranverës së vitit 1990. Numri i të prekurve nga helmimi toksik arriti në rreth 8000.