12 Tetor, 2024 - 11:00 pm
Pjesa më e madhe e Parqeve Arkeologjike të Shqipërisë janë të pazbuluara dhe nevojat për gërmime arkeologjike dhe arkeologë janë të mëdha. Gërmimet në shumë zona arkeologjike të vendit janë të pakta dhe po tërheqin një numër të vogël arkeologësh të rinj shqiptarë. Sipas studiuesve financimet për misionet arkeologjike dhe kërkimet shkencore mbështeten kryesisht nga të huajt dhe vetë parqet arkeologjike po përdorin shumë pak nga të ardhurat e tyre për këto aktivitete.
Në një mision arkeologjik në qytetin antik të Antigonesë në Gjirokastër Natalia Qirjo një studente e arkeologjisë në Universietin e Tiranës po gërmon me një grup të vogël arkeologësh dhe studentësh në zonë kryesore të qytetit.
Arkeologët kanë gjetur një shtresë më të hershme se ndërtimi i qyteti nga mbreti Piro dhe po përpiqen të hulumtojnë mbi materialin arkeologjik. Natalia thotë se është viti i dytë që përfshihet në gërmime.
“Ky është viti i dytë që vij në një mision arkeologjik. Vitin e kaluar isha në pjesën e sipërme të qytetit ku kryheshin gërmime tek “shtëpia e monedhave”, ndërsa këtë vit jam këtu tek qendra e qytetit apo “agoraja” si njihet ndryshe. Është një përvojë shumë e bukur dhe e dobishme që ka edhe vështirësitë e saj”, tregon ajo.
Natalia thotë se e ka zgjedhur arkeologjinë nga pasioni që kishte. Sipas saj përfshirja në misione arkeologjike është mjafte rëndësishme për studentët.
“Unë kam mbaruar vitin e dytë këtë vit dhe është shumë e rëndësishme për mua të mësoj rreth karrierës që do ndjek në jetë. Unë i kisha me dëshirë lëndët shoqërore dhe kur pashë arkeologjinë thashë se këtë do zgjedh.”
Ndërsa Pëllumb Hoxha thotë se prej nëntë vitesh është në terren me gërmimet arkeologjike në disa zona të Shqipërisë.
“Unë kam marrë pjesë në disa misione arkeologjike. Jam përfshirë në misionin e Zgërdheshit me gjermanët, pastaj në Koman me një grup francezo- zvicerian dhe shqiptar që gërmojnë atje, më pas kam qenë në mision në Durrës me italianët dhe tani jam këtu në Antigone sërish me italianët që vjnë nga Universiteti i Maceratës”, tregon ai.
Është një eksperiencë shumë e mirë, me misionet e huaja arkeologjike pasi këmbehen metodat e gërmimeve, thotë më tej Pëllumbi.
“Marrim njohuri për metoda gërmimi dhe praktika se si punohet në vendet e tjera në zonat arkeologjike. Kjo na ndihmon më pas të përcaktojmë rrugët tona më të mira në gërmimin arkeologjik dhe në studimin e materilave për të bërë analiza për periudha historike.”
Sipas arkeologut, të rinjtë po i afrohen viteve të fundit pak arkeologjisë, ndonëse nevojat e Shqipërisë janë të mëdha pasi shumica e parqeve arkeologjike të vendit janë të pazbuluara.
“Ndoshta të rinjtë kanë pak informacion për arkeologjinë”, thotë ai
Arkeologia me përvojë Sabina Veseli thotë se është shumë e rëndësishme për studentët shqiptarë të arkeologjisë pjesëmarrja në këto gërmime.
“Ne mundohemi që studentëve t`ua shpjegojmë të gjitha fazat, qoftë në terren, qoftë në laborator me mundësinë që ata të zgjedhin në të ardhmen ku duan të fokusohen. Në arkeologji është punë në terren, duhet të gërmosh, të qëndrosh në diell gjithë ditën. Oraret e e arkeologëve janë të gjata fillojnë në pesë të mëngjesit, merret një pushim në mesditë dhe pastaj rikthehesh në laborator. Është një punë e vështirë në terren por shumë e bukur.”
Zonja Veseli thotë se interesi për arkeologjinë në Shqipëri duhet të vijë në rritje. Arkeologjia përherë ngjall interes, thotë Sabina.
“Unë mendoj se arkeologjia ngjall përherë interes. Arkeologjia ngjall më shumë interes se degët e tjera sepse ka një tis përherë aventure, një tis që udhëton, jeton në komunitete, zbulon dhe ky proces i intrigon të rinjtë e sotëm. Mendoj se interesi tek të rinjtë për t`u marrë me arkeologji vazhdon të jetë i njëjtë. Unë mendoj që ky interes duhet të vijë në rritje pasi arkeologjia në territorin shqiptar është shumë e zhvilluar dhe ka punë për të gjithë”,
Sipas të dhënave zyrtare parqet arkeologjike u vizituan këtë vit nga rreth 400 mijë turistë vendas dhe të huaj një shifër që ka ardhur vit pas viti në rritje .
Por sipas specialistëve të trashëgimisë kulturore në shumicën e parqeve arkeologjike rritja e të ardhurave nuk përkon me më shumë financime për kërkime shkencore dhe gërmime arkeologjike nga këto të ardhura që krijohen.
Studiuesit vlerësojnë se fiancimet për misionet arkeologjike në Shqipëri por edhe për kërkimin shencor në përgjithësi janë të pakta si nga universitetet edhe nga institucionet e trashëgimisë kulturore./VOA/ KultPlus.com