27 Qershor, 2019 - 4:33 pm
Arbër Selmani
Një djalë i vogël i rritur në Rugovë të Hasit, afër Drinit. Djali i Xheladinit do të rritej shumë afër ujit e natyrës, gjithmonë me dashuri për gjuetinë e peshkut.
I vogël, po i njëjti djalë njomak do të niste të mësonte lojën në instrumente, pikërisht prej Xheladinit – ky një instrumentist jo i shkolluar. Emri i djalit të vogël është Shaqir, Shaqir Hoti, sot një burrë 84 vjeçar i cili në studion e tij të punës në Prishtinë nuk mund të ulet.
“Rrijmë në këmbë, është sëmundje profesionale” thotë Shaqiri derisa unë bisedoj me të në një hapësirë të vogël për simpatike të punës.
Sot, pak kush nuk e njeh plakun e bardhë Shaqir Hoti.
“Unë jam i bindur se këto instrumente me të cilat sot punoj, si fëmijë janë ngulitë thellë në trurin tim, dhe çdo gjë që ngulitet në fëmijëri është vështirë të shlyhet. Unë gjithmonë instrumentet i kam pasur afër, si fëmijë kam luajtur në to por nuk kam ditur t’i punoj” tregon axha Shaqir, siç më pëlqen ta thërras.
**
Jo vetëm lojë në instrumente, por edhe studim dhe intervenim në tingullin e tyre
Sot, ata njerëz të cilët e duan folklorin e instrumentet shqiptare, e njohin mirë Shaqir Hotin. Hoti, i cili ka përfunduar shkollën fillore në vendlindje, më pas shkoi në Prizren për të regjistruar shkollën e mesme të muzikës.
“Gjenerata ime komplet i kemi taku një terri të plotë informativ, dhe ishim fort të uritur për dije. Semimaturën, apo tetë vjeçaren e përfundova dhe mezi pritsha me shku dikah me u regjistru. As edhe një katërshe nuk e kam pasë, krejt pesëshe. Shumë arsimtarë më thojshin shko në normale, disa në gjimnaz, por atëkohë u hap Shkolla e muzikës. Vullneti për dije ishte i madh. Bashkë me një shokun tim çdo ditë kemi bo 50 kilometra, 25 ardhje e 25 vajtje, derisa nisi bora e madhe, prej Rugovës në Prizren kemi udhëtu, rruga atëherë ishte ma lakore sesa tash. Edhe atëherë instrumentet gjithmonë i kam pasë nëpër dorë, edhepse kemi ushtru tinëz sepse pa partitura nuk lejohej kurgjo” tregon Hoti.
Ai sot luan në instrumente, punon me to, i krijon ato, i studion ato, duket sikur edhe flet me këto instrumente. Qetësinë shpirtërore thotë se e gjen duke punuar me instrumente, knaqet i tëri sidomos kur dëgjon tingujt e parë të një instrumenti. Kurrfarë pushimi tjetër më të dëlirshëm nuk gjen Shaqiri, sesa në instrumente, sesa në ambientin e vogël poshtë shtëpisë së tij, aty prej nga ai punon me fyell, me kavall, me okarina, me pipëza, me gajde, me zumare, me instrumentet tjera.
Janë mbi 1500 instrumente në këtë hapësirë, prej të cilave Shaqir Hoti thotë se nuk është ndarë asnjëherë, në asnjë peripeci të jetës.
“Këtyre instrumenteve kurrë s’ju kam nda, edhe gjatë obligimeve tjera, edhe kur kam punu në arsim apo në Radio Prishtinë. Në Radio kam qenë në Orkestrën Popullore – si flautist, dhe isha ndër të parët si flautist. Aty kam punu deri në masat e dhunshme. Krahas krejt obligimeve tjera, instrumentin tradicional nuk e kam hekë nga dora, jam mundu me e rujt. Kam dashtë gjithmonë me lujt bukur në instrumente duke e shfrytëzu burimin dhe melosin burimor. Kam intervene edhe vetë në instrumente, në temperim, në tingull të duhur, hapsha e mbyllsha vrima deri vijsha tek niveli i lartësisë. Gjithmonë kam mendu kësisoj, që nëse kam jetë më të gjatë në pension nuk do të jem një pensionist i zakonshëm. Drejt me thanë, më dhimben nëse këto instrumente i lojmë në harresë, sepse kanë qenë shumë shekuj në këto treva” tregon Hoti.
Biseda përcillet me luajtje në instrumente, dhe unë ndoshta bëhem i bezdisshëm duke i kërkuar axhës Shaqir që të luajë enkas për mua. Megjithatë ai e lë shpirtin e tij në secilën lojë që i bën instrumenteve derisa e nxjerrë nga i njëjti shpirt edhe rrëfimin e tetë dekadave jetë.
Rrethohet prej fyellit të shokës/brezit, të cilin e ka shumë për zemër. Më larg qëndrojnë gajdet, të cilat i ka krijuar vetë prej shtofit dhe të cilat tash e 19 vite kanë ruajtur formën e tyre të mrekullueshme. Pipëzat nuk i ka larg, por as edhe instrumentet e vogla që janë krijuar prej arrave, bërthamës së avokados dhe bririt të lopës. Shaqiri jonë, çkado që gjen në natyrë provon ta kthejë në instrument.
“Fyelli i shokës dallon pak, dhe thirret kësisoj pasi bariu e ka futë në brez pasi ka luajt në të. Edhe për nga struktura dhe punimi është i thjeshtë, hapen gjashtë vrima dhe pjesa lart. Si diapoazon ka dy oktava, pra është i fuqishëm, ndërsa bashkë me zërin e fyellit dëgjohet edhe fryma e njeriut. Fyelli i madh apo kavalli, në turqisht e përdorin edhe çoban-kavall edhe një lloj tjetër që thirret nej, edhe atë e dua fort. Jam gjithkonë në hulumtime të timbrit, temperimit, të avancimit, aty ku ka mundësi ta shoh që një instrument mundet me ecë përpara” tregon Shaqir Hoti.
**
Tregim jete i ndarë në copëza të bukura
mbushur plot melos popullor
Hoti i quan instrumentet si fatin e tij të mirë. Edhe jeta e tij është një tregim me fat.
“Në shkollë të mesme, drejtori ka qenë shqiptar, Lorenc Antoni. Atëherë as Prishtina dhe as Nishi nuk kanë pasur shkollë të muzikës. Lorenci më tha se kam vesh absolut dhe u bëra nxënës i tij në violonçelo. Deri në gjysmëvjetorin e dytë isha fort i mirë, aty përparova shumë. Rastësisht e dëgjoj një djalë malazez duke luajtur në flautë, i cili po bëhej gati për ushtrime në klasë. I thashë të ma jepte pak instrumentin sepse s’kisha pa me sy më parë këtë instrument. Tingujt i ngjasonin kavallit. E morra dhe e luajta një melodi tonën baritore – aty del profesori dhe më zuri me instrument në dorë. Shkojmë bashkë te drejtori dhe aty profesori i thoshte drejtorit që të bëhesha flautist. Lorenci refuzoi por më vonë pranoi sepse ai po largohej për të punuar në Radio Prishtinë. Kishim pak literaturë, por huazonim sidomos prej violinës. Prej aty u ktheva në fshat” tregon Shaqiri.
Kthehet në fshat që të kontribuonte. Shtatë vite pas shkollës së mesme ai qëndron në fshat derisa vjen në Prishtinë në vitin 1967.
“Bile kom pritë shumë, sepse mu dhimbshin ata fëmijë atje ti la. Vij në Prishtinë, asokohe Rexhai Surroi ka qenë drejtor i Radio Prishtinës dhe ma nënshkroi vendimin e përhershëm si pjesë e formacionit të Orkestrit Popullor” vazhdon Hoti.
“Në orkestër e gjej drejtues Rexho Mulliqin – drejtues. Ai e donte shumë instrumentin tradicional, herë herë e fuste në orkestrime të këngëve por edhe nëpër turne kur shkonim, gjithsesi diçka nga këto instrumente i ka marrë me veti; fyellin, okarinën, kavallin….”
**
Berlin 1969
Punëtoria e tij është një punëtori e veçantë në të gjitha trevat shqiptare. Ka plot njerëz që punojnë instrumente, por Shaqir Hoti është ndër të paktët që e njeh intrumentin organikisht, njeh tingull për tingull. Madje ai i ka të shkruar për secilin instrument veç e veç mundësitë teknike të interpretimit, mënyrën e punimit, si të dalë tingulli.
I kanë premtuar se do t`ia botojnë këto shënime diku, njëjtë siç edhe i kanë premtuar se kjo punëtori do të mund të ishte pjesë e Muzeut. Deri sot, ai vetë thotë – “Premtimet kanë mbetë si zhag”.
Në njërin qosh të punëtorisë, një fotografi e vjetër bën dritë, Shaqir Hoti shihet sikur duke pirë cigare. “Veç osht grrithë letra, nuk jam me cigare” tregon Shaqiri. Në fotografi janë shtatë personazhe, mes tyre Shaqir Hoti dhe Nexhmije Pagarusha. Nexhmija është e vetmja grua, dy meshkuj të tjerë janë nga Serbia. Të gjithë janë me tesha kombëtare, në Berlin të Gjermanisë, në një festival ku ata morrën vendin e parë. Shaqir Hoti thotë se kurrë askush nuk ka shkruar për atë fitore.
“Në festival në vitin 1969 e përfaqësuam Jugosllavinë. Shkuam aty dhe ne ishim formacion me shtatë veta, gjashtë krymba, ndërsa shtetet tjera ishin me orkestër të madhe e me revyja simfonike me 100 e kusur veta. Në prova gjenerale dolëm si pula e lagt. Kangën e parë –“Bijnë tupanat në katër anët” e këndon Nexhmija e unë isha me çifteli, reagimi ishte i shkëlqyeshëm. Kanga e dytë –“Sytë për ty i kam të njomë” bukur mirë u nxeh publiku, ndërsa te kanga e tretë – “Baresha” ku unë isha shoqërues në flautë, Nexhmija u detyrua me u kthy në skenë disa herë. Fituam në festival. Të nesërmen vijnë Ambasada Gjermane dhe ajo Jugosllave e na urojnë për këtë sukses. Kthehemi në Kosovë bukur krenarë që e nxunëm vendin e parë, gazetat gjermane me 2 faqe të plota për atë rast, me Nexhmijen edhe veshjen kombëtare. Kanë kalu 50 vjet e kusur dhe kërkush asnjë germë se ka shkru për atë koncert”.
Këngën “Baresha”, Hoti e ka përcjellur me flautë, në versionin e saj origjinal.
“Rexha e ka ba melodinë, partiturën, aranzhimin, orkestrimin, ka nejtë derisa osht finalizu kanga nuk ja ka da, tekstin e ka bo Rifat Kukaj. Bile, janë mshelë dytë në banesë edhe deri e kanë kry kangën sjon dal prej qatyhit” tregon Hoti.
**
“E vërejta se gajdet po zhdukeshin, nuk dëgjoheshin kurkund fare”
Tregim që nuk ka të mbaruar, burrë që nuk njeh lodhje, me misionin e tij të vetëm në jetë nxjerrjen e instrumenteve shqiptare nga terri i lashtësisë, drejt dashurisë për tënden, për autentiken, për zanafillën, për muzikën burimore e folklorin.
Sikur gishtat e dorës, të pandashme dhe secila e rëndësishme, janë edhe instrumentet në të cilat axha Shaqir punon e luan. Prej pipëzës, një instrument i vogël që punohet prej kashtës dhe degës së shtogut e kaçës, jetëshkurtër, deri te kavalli e bishtnicat-gajdet, ky njeri i 84 vjeshtave e dimrave ka ende shumë energji dhe dashuri për çdo ditë të jetës.
“Sidomos me gajdet, e vërejta që ky instrument nuk dëgjohej kurkund fare. Fillimisht gajdet i futa në orkestrimin e një prej këngëve të Shyhrete Behlulit, dhe nga ajo instrumenti thuajse është gjallë” tregon Shaqiri. Njëra gajde, më e moçme, është prej lëkurës së qengjit e kecit së cilës i duhet qumështi për ta mbajtur të njomë e të botë.
“Unë bëra çmos që t’i avancoj gajdet. E kam këtu njërën me shtof e cila mrena ka kese të madhe të najllanit. Që 19 vite e testoj dhe asnjëherë nuk ka problem, nuk i bjen era e keqe, as s’don ly as s’don ngjy”.
Dhe unë e gjej në punëtori këtë njeri me zemër të mirë, duke punar pikërisht një pjesë të gajdeve.
“Gjithmonë kam dashur ta prekë intrumentin, mos ta dëmtoj. Tek gajdet gjithmonë ka qenë problem pëlqesa apo burdani, në jug i thonë iso – tingujt e barabartë. Arrihej unison i plotë i tingujve por shpesh humbte. Unë me anë të një unaze në gajdet e mia e kam anashkalu këtë problem” tregon Shaqiri.
**
Kjo dashuri e pashterrur për okarinën, pa lënë anash edhe instrumentet tjera
Okarinën e ka shumë për zemër. Ka disa okarina të shpërndara në këtë hapësirë të vogël ku punon Shaqiri, por secila prej tyre përbën një copëz të zemrës.
“Viteve të fundit jam angazhu shumë me okarinën origjinale e cila osht gjetë në Runik afër Skënderajt. U gjetën asokohe shumë objekte, e unë shkova sepse dëgjova për okarinën. Isha i interesum me e pasë instrumentin frymor. Pas disa kohe doli në Muze dhe u ekspozua, por nuk mundej me u hapë përpos kërkesave zyrtare. Kështu okarina kurrë nuk ra në dorën teme. Pas luftës erdha me gëzim që do ta gjejmë okarinën e do ta prek, por ajo ishte zhdukur bashkë me qindra artefakte tjera, për fatin e të cilave nuk dihet. Edi Shukriu më dha informata të shkëlqyeshme dhe ma përshkroi këtë okarinë, pasi ajo e pati në dorë, unë isha me dy mendje a ishte ma e shtypur apo cilindrike. Doli të jetë krejt cilindrike. Mi dha krejt masat e saj, me fotografinë origjinale të instrumentit” e fillon tregimin e okarinës Shaqir Hoti.
“Pjesa ma e gjatë ishte 8 centimetra, pjesa e gjerë 6 centimetra. Vrimat poshtë nuk i ka bash drejtë. Unë e kopjova më pas. Isha gjithmonë në dyshime a ka qenë instrument ritual a paramuzikor, dhe pas një kohe bukur të gjatë të hulumtimit e vërejta se ky instrument ka një tingull të msheftë, prandaj më nuk do ta quaj instrument paramuzikor por instrumental sepse i ka tingujt e vet”
“Jam i sigurtë se secili instrument në vete ka mesazhin e tij, njëjtë edhe vegëlpunuesi i saj. Shembull, tek okarina janë 12 viza në pjesën horizontale, ndërsa vertikalisht janë 7. Pra 7 me 12. 7 në mitologji ka pasë shumë rëndësi, për 7 ditë është krijuar bota, 7 male, 7 kodra, pra kush e ka krijuar ka dashur të thotë diçka me të” tregon Shaqiri.
Edhe ai vetë, në çdo instrument e gdhendë emrin e tij. Në një fotografi dhuratë prej miqve të tij nga Italia, në të katër anët e fotografisë ai ka krijuar instrument, katër fyella të ndryshëm.
Krijon në dru, instrumente në formë shqiponje, në formë të ndonjë shpendi. Një okarinë e bukur e bardhë është krijuar në lajthi, një tjetër në vezën e makushit e strucit.
Një fyell, duke e krijuar i dha zor shumë, e dëmtoi në njëfarë mënyre. Poshtë fyellit e shkroi: Në duart e kqija prishet, dështon humb!
Për fund, e pyes axhën Shaqir se cili është mesazhi i tij për rininë, për njerëzit që i duan instrumentet dhe muzikën e bukur.
“Kërkush nuk po ngan t`punoj me këto instrumente, ti bëjë për vete. Çdo popull e ruan me xhelozi instrumentin e traditës. Kemi pas bo kërkesë me e hapë një shkollë për këto instrumente apo kjo të jetë si një lëndë mësimore në shkollë të muzikës. Edhe këtu para premtime por jo realizime” sqaron axha Shaqë.
Vazhdon të kalojë kohën e tij në punëtori, krejt kohën në eksperimente, me okarinë nga argjila e dheu. Verës del rreth liqejve, edhe nëpër mal. Asnjëherë nuk punon në vetëm një instrument, herë shkon tek njëri e herë tëk tjetri.
“Kam përkrahje edhe sot, edhe gjithmonë kam pasur, prej familjes. Djemtë nuk u angazhuan në këtë drejtim sepse të punosh një fyell për treg – më mirë është me ja bo një argat dreqit. Nuk vlerësohet. Shpesh ndoshta një instrument t’i merr 2 ditë kohë për me u shitë për 2-3 euro. Si instrument bjen poshtë rëndësia, jo mundi i personit. Diaspora është e interesuar me i ble këto instrumente, më shumë” tregon Hoti.
(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së ).