Shemsi Krasniqi sjellë libër e ekspozitë për trashëgiminë kulturore dhe natyrore

26 Mars, 2018 - 3:22 pm

Gili Hoxhaj

Në mesin e shumë të pranishmëve në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Shemsi Krasniqi promovoi sot librin e tij më titull “EKOKULTURA. Natyra në kulturën popullore shqiptare”. Po ashtu në hollin e kësaj biblioteke për ta vizualizuar më së miri për mbajtjen e këtij libri, u prezantua edhe ekspozita me titull “Aterren”.

Libri “EKOKULTURA. Natyra në kulturën popullore shqiptare”, është libër i shtrirë në dhjetë kapituj ndërsa sjellë jetën reale nga terreni, ndonjëherë edhe nga zonat më të thella. Për këtë libër, folën miqtë dhe koleget e tij. I pari fjalën e mori sociologu Anton Berisha i cili tha se lexuesi i këtij libri do të ketë mundësi zbardhjen e rrethanave objektive të cilat e kanë promovuar një objekt apo kafshë me kultin. Ai tutje shtoi se autori objektiv studimor e ka gjetjen e kuptimit, e jo përshkrimin sipërfaqësor të objektit.


“Autori në mënyrë brilante e ka treguar lidhjen e vizualitetit më të panjohurën. Ai niset nga objekti konkret, nga ajo që shihet por në vazhdimësi e gjurmon, i gjen esencën dhe substancën në zbardhjen e lidhjes nëpërmes shkakut dhe pasojës”, u shpreh sociologu Berisha. Antropologu, Arsim Canolli e cilësoi Krasniqin si studiues ndërmjetës mes sociologjisë dhe antorpologjisë. Ai tha se edhe libri edhe ekspozita jehojnë si një kumtesë e përvojës antropologjike për njohjen e jetës dhe veprës së shqiptarit të Kosovës.

“Ai është i trajnuar fillimisht si sociolog, por i trajnuar në pjekurinë e tij akademike si antropolog, ndonëse i sprovuar në aspektin pedagogjik si sociolog. Ky libër e kjo ekspozitë, vijnë si ftesë fort e sinqertë për ta njohur, studiuar e promovuar edhe tutje trashëgiminë kulturore e natyrore të Kosovës”, u shpreh antrolopolgu Canolli.

“Për njerëzit e mirë, natyrën e bukur dhe gjërat me vlerë”, shkruhet në katalogun e ekspozitës që solli 100 fotografi nga pjesë të ndryshme të Kosovës. Këto fotografi pasqyrojnë më së miri studimin e përkushtimin artistik të autorit ndaj trashëgimisë dhe relikteve të vjetra, të vendeve dhe objekteve të shenjta, simboleve, miteve e legjendave, festave popullore e praktikave rituale, duke shkuar nxjerrë në pah edhe aktet spirtuale, momentet e veçanta e shumë intime që burojnë nga traditat e komunitetit. “Arterren” është bashkëdyzim fjalësh që flet më së miri për aspektin artistik dhe atë empirik të kësaj ekspozite.

Për katalogun dhe ekspozitën e titulluar “Arterren”, foli profesori Ibrahim Berisha i cili tha se kjo përmban një gërshetim kreativ të artit human dhe natyror, i informacionit kulturor dhe historik dhe një fije e zbulimit të shkëlqyeshme akademik dhe kreativ. “Fërkamat dhe shenjat e kohëve të cilat kanë mbijetuar nëpër pjesë të Kosovës janë me fakte, relikte dhe simbole që kanë qenë sheshazi të dukshme, që janë lënë mënjanë duke pritur këtë dorë dhe mendje të studiuesit dhe artistit për tu bërë pjesë e komunikimit publik, artistik dhe akademik, jo vetëm në Kosovë por edhe në shumë qendra akademike ndërkombëtare”, tha në fjalën e tij profesori Berisha.

Më pas fjalën e mori antropologia, Zanita Halimi e cila tha se të gjitha fotografitë e autorit janë të ndikuara nga ndjenja e fortë e profesorit Krasniqi për njohjen, ruajtjen e trashëgimisë kulturore e natyrore. Ajo tha se fotografitë ne ekspozitën e tij vijnë si dialog mes natyrës dhe njeriut, trupit dhe shpirtit, kohës dhe hapësirës.

“Fotografia është histori e shkruar me dritë, përmes shkrepjes autori Krasniqi na mëson për segmentet e ndryshme të shoqërisë tonë në kohë dhe hapësirë. Autori nuk e trajton vetëm pamjen e jashtme të realitetit por edhe të brendshme që përbehet nga ndjenjat, shpirti, kulti, besimi dhe praktika të ndryshme të njeriut”, u shpreh antropologia Halimi.

Autori Shemsi Krasniqi kishte shkrepur me mijëra fotografi në terren, prej të cilave 400 kishin qenë në përzgjedhjen e ngushtë për t’i dhënë formë ekspozitës që u prezantua sot. Në mesin e tyre, publiku shijoi 100 fotografi të cilat preknin imazhe e pamje të vendeve më të bukura të Kosovës. Për t’i sjellë këto autori shpesh është dashur të shpenzoj shumë ditë në terren. Vet Autori Krasniqi mori fjalën krejt në fund për të falënderuar të pranishmit dhe ata që nuk ishin të pranishëm por që kanë kontribuar në krijimin e këtij libri e kësaj ekspozite. Në veçanti, ai falënderoi me qindra bashkëbisedues të cilit i ka njohur gjatë punës në terren dhe të cilat i kishin dhënë njohuri që autori as që i kishte imagjinuar.

“Kam shkuar në skajet më të larta të Kosovës, në pikat më ekstreme, më ekstreme edhe vertikalisht, jo vetëm horizontalisht. Jam futur edhe në shpella edhe siç kam bërë shëtitje në terren, kam bërë edhe në fushat disiplinore”, u shpreh Krasniqi.Ai tutje tha se një qëllim i tij ka qenë që në kulturën shqiptare, të gjej hap pista të reja të studimit. Ekspozita është rezultat i punës së doktoratës, punë të cilën Krasniqi e kishte vazhduar edhe pasi e kishte marrë këtë titull./ KultPlus.com


Të ngjajshme