1 Nëntor, 2023 - 10:30 am
Kisha e Shën-Kollit në Voskopojë përfaqëson një dëshmi të prekshme të rëndësisë historike të qytetit të dikurshëm. Ajo ndodhet në qëndër të Voskopojës dhe është kisha më e rëndësishme për arkitekturën e saj me të gjitha elementët e tipit bazilikal post-bizantin, që ka mbijetuar deri në ditët e sotme. Kjo kishë i ka të gjitha: naosin, narteksin, arkadën dhe këmbanaren. Është ndërtuar nga qershori i vitit 1721 deri në shtator të vitit 1722, ndërsa këmbanarja mendohet të jetë ndërtuar më vonë. Rindërtimi i fundit të saj është bërë rreth vitit 1936. Kisha është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948 për vetë vlerat e saj të mëdha arkitektonike dhe artistike.
Pjesë e kishës së Shën-Kollit ka qënë edhe kishëza e Shën-Efthimiut,në pjesën jugorë të saj, tashmë e shkatërruar plotësisht. Naosi është pikturuar rreth vitit 1726 nga David Selenica, një prej mjeshtrave më të mirë të shek. të 18-të. Stili i tij i përket shkollës tradicionale të artit të Paleologëve, e njohur edhe si shkolla Maqedonase. Ndërsa arkada është pikturuar rreth vitit 1750 nga vëllezërit Athanas dhe Kostandin nga Korça, të mbiquajtur “Zografi”. Ata kanë pikturuar skena të shumta nga cikli i Apokalipsit, për të dytën herë pas asaj të pasqyruar në kishën e Shën Thanasit ( të dy ciklet nuk janë kopje të njëra-tjetrës, por secila paraqet veçori krijuese).
Më 1960, pjesa e arkadës pësoi një dëmtim serioz për shkak të një tërmeti të fuqishëm, duke u shkëputur rreth 28 cm nga naosi. Ndërsa një ekspeditë restaurimi, e ndërmarrë në vitin 1962 nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, për rikthimin në vënd dhe konsolidimin e saj bëri një punë të shkëlqyer dhe profesionale. Ikonostasi i kësaj kishe u punua mjeshtërisht nga Kostandin Ieromonaku rreth vitit 1722-1726, një nga mjeshtrat më të mëdhenj të punimit të ikonës në fillim shek. të 18-të. Sot një pjesë të ikonave origjinale janë pjesë përbërëse e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë./ atsh / KultPlus.com