3 Dhjetor, 2018 - 4:00 pm
Shengen është një fshat i vendosur në brigjet e lumit Moselle, në trekëndëshin kufitar të Luksemburgut, Gjermanisë dhe Francës. Këtu u nënshkrua Marrëveshja e Shengenit dhe Konventa e Zbatimit të Shengenit, në vitin 1985 dhe 1990.
Në fshat, ka disa vende që kujtojnë marrëveshjen, duke përfshirë Qendrën Europiane të Shengenit me muzeun e saj.
Shengen është bërë qendra e lëvizjes së lirë në Europë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Shengenit.
Në gjurmët e një vendi historik siç është Luksemburgu i cili qëndron si një monarki kushtetuese e lidhur mes dy republikave gjigante të Francës dhe Gjermanisë dhe ka paguar çmimin për vendndodhjen e saj në jo një, por dy luftëra botërore, ndodhet edhe Shengen, shkruan scan tv.
Shengen njihet për prodhimin e verës së vendit, me vreshtat rresht pas rreshti të mbuluara mbi kodrat e ulëta të ndërprera vetëm nga shpërndarja e qyteteve dhe fshatrave.
Pse u zgjodh Shengen?
Ndërsa Luksemburgu do të merrte së shpejti presidencën e KEE-së, kombi i vogël kishte të drejtë të zgjidhte se ku do të bëhej nënshkrimi i këtij traktati.
Shengen është i vetmi vend ku Franca dhe Gjermania bashkohen me një anëtar të Beneluksit, duke e siguruar atë si destinacion të zgjedhur. Si pikë takimi i tre vendeve, zgjedhja e Shengenit ishte e mbushur me simbolizëm.
Për të siguruar se ishte një çështje neutrale, nënshkruesit u mblodhën në një anije për të nënshkruar marrëveshjen. Anija u ankorua sa më afër kufirit me tri pikat, që shkon poshtë në mes të lumit Moselle.
Sot, Zona Shengen përfshin 26 shtete anëtare.
Nga këto, 22 janë anëtarë të BE-së, ndërsa katër (Islanda, Zvicra, Norvegjia dhe Lihtenshtajni) nuk janë. Shengen kishte kritikët e saj atëherë siç ka edhe tani. Kriza e emigrantëve të fundit dhe sulmet e Parisit në vitin 2015 minuan Shengenin, duke u dhënë atyre mjaft municione kundër kufijve të hapur.
Pavarësisht diferencave, zona e Shengenit vazhdon të rritet, edhe pse procesi për t’u bashkuar asaj është mjaft i vështirë.
Politika ende përcakton se kush mund të bashkohet ose jo, pasi anëtarët e rinj duhet të votohen njëzëri. Në fakt, asnjë vend nuk i është bashkuar zonës Shengen për disa vite; Lihtenshtajni ishte shtimi i fundit në vitin 2011.
Natyrisht, ka më shumë për këtë fshat të vogël sesa legjislacioni ndërkombëtar.
I ndodhur 35 km larg Luksemburgut, Shengen i ofron vizitorëve mundësitë për të lundruar përgjatë brigjeve të Moselle, të shëtisin apo të bëjnë çiklizëm në kodrat përreth, si edhe te vizitojnë muzeun i cili u inaugurua më 13 qershor 2010, 25 vite pas nënshkrimit të marrëveshjes Shengen, i cili i është kushtuar pikërisht kësaj të fundit./ KultPlus.com