29 Shtator, 2021 - 7:18 pm
Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, si institucioni më i madh i kujtesës kombëtare, organizuan një tryezë të rrumbullakët me moton: “Të gjithë të përfshirë në trashëgiminë kulturore”.
Kjo tryezë e rrumbullakët u organizua në kuadër të Ditës Kombëtare dhe Evropiane të Trashëgimisë Kulturore.
Akademia e Shkencave u përfaqësua në këtë tryezë nga akad. Shaban Sinani sekretar shkencor, akademik Vasil Tole zëvendëskryetar, prof. dr. Neritan Ceka, prof. dr. Irakli Koçollari si dhe prof. dr. Eno Koço.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, pasi përshëndeti të ftuarit, u ndal në rolin gjithëpërfshirës që luan Muzeu Historik Kombëtar në rrafshin e trashëgimisë kulturore, ku ndër të tjera shtoi se, “Muzeu nuk është një koleksion privat apo një ndërmarrje tregtare, por një institucion kulturor publik, ku fondet e grumbulluara me kujdes kanë karakter shkencor dhe vihen në dispozicion të publikut, pa dallim race, gjendjeje shoqërore apo kulturore, sipas një plani kohor të saktësuar”.
Akad. Shaban Sinani bëri të njohura nismat më të rëndësishme që janë në proces realizimi aktualisht nga Akademia e Shkencave.
“Është fjala për projektin “Moti i Madh”, forma më e shkurtër e emërtimit të dosjes së trashëgimisë arbëreshe në rrugën e saj të gjatë drejt UNESCO-s, për t’u promovuar si trashëgimi e Njerëzimit. Një rrugë e gjatë, sepse Fondacioni Ndëruniversitar “Francesco Solano” ka vite që investohet me këtë dosje shkencore, duke krijuar një rrjet bashkëpunimi ndëruniversitar, që nga Cosenza, Palermo, Leçe dhe Salento, deri në Venecia e Milano. Suksesi i parë është regjistruar tashmë prej afro dy vjetësh, me miratimin e projektit nga komiteti kombëtar i UNESCO-s në Itali. Prej vitit të kaluar projekti mori karakter ndërshtetëror, që bën pjesë në kriteret e parapëlqimit të ekspertëve të UNESCO-s. Një grup i vogël studiuesish funksionon për këtë dosje edhe këtu në Tiranë. Akademia e Shkencave, Ministria e Kulturës dhe institucione të tjera, duke përfshirë ekspertë të huaj, po punojnë bashkë për të plotësuar të gjitha kërkesat: shkencore, administrative, diplomatike, që nisma të përfundohet me sukses”, tha akad. Sinani, duke u ndalur në aspektet e qasjes identitare të shqiptarëve, marrëdhëniet e tyre me të huajt, por dhe në marrëdhëniet e tyre me vetveten.
Ai shtoi se, në këto vite ka pasur një hov zhvillimi të kërkimit shkencor në kuadër të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të vendit, por ndër të tjera shtoi se, ka akoma shumë për të bërë në këtë kuadër, pasi pasuria shpirtërore dhe materiale e vendit është e një game dhe larmishmërie të gjerë.
Arkeologu prof. dr. Neritan Ceka në fjalën e tij bëri një pasqyrim të trashëgimisë kulturore dhe materiale të vendit, ku u ndal në ruajtjen dhe konservimin e monumenteve të kulturës dhe siteve të ndryshme arkeologjike në mbarë vendin, të cilat përbëjnë një pjesë esenciale të kësaj trashëgimie.
Akad. Vasil Tole foli për rëndësinë e etnomuzikologjisë shqiptare dhe rëndësinë që ajo zë në memorien historiko-kulturore të një vendi, pasi etnomuzikologjia ashtu si gjuha e folur përbëjnë një ndër bazat kulturore dhe identitare të një kombi.
Prof. dr. Irakli Koçollari u ndal në aspektet e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të diasporës shqiptare. Ai vuri theksin në rëndësinë që mbart kjo trashëgimi jashtë kufijve të vendit, pasi jo vetëm që shërben si një urë lidhëse ndërmjet kulturave të ndryshme, por gjithashtu tregon më së miri karakteristikat e veçanta të trashëgimisë sonë shpirtërore dhe materiale.
I ftuar në këtë aktivitet kompozitori prof. dr. Eno Koço si një njohës i fushës së muzikologjisë foli për fuqinë që arti dhe muzika mbart në vetvete si përcjellëse e identitetit artistiko-kulturor të një populli dhe sesi ky identitet përcillet nëpër breza duke marrë trajta dhe forma nga më të ndryshmet.