30 Shtator, 2018 - 10:00 am
Thonë se një fotografi vlen sa njëmijë fjalë. Është një moment i kapur nga aparati i fotografit boshnjak të agjencisë Reuters, Damir Sagolj, që e ktheu Sherife Lutën nga Kosova në simbolin e refugjatëve kosovarë të Bllacës së Maqedonisë 18 vite më parë.
Sherife Luta asokohe ishte 22 vjeçe dhe mbante në gji vajzën e saj 6-muajshe, Besën. Ditën e 8 marsit 1999, ajo ishte një grua që doli nga shtëpia me foshnjën dhe babanë e saj për t’i shpëtuar granatimeve të serbëve në fshatin Ivajë në Kaçanik të Kosovës.
Bashkëshorti iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare, së bashku me burrat e tjerë të rinj e të fuqishëm.
Ndërsa Sherifja, një nënë e re, e paveshur, me pelenën e vajzës në kokë, e pangrënë, në një mot të ftohtë e me dëborë, eci për afro një muaj të tërë në këmbë me mijëra banorë te tjerë që po përpiqeshin t’i shpëtonin luftës. Deri në datën 3 ose 4 prill, kur u shkrep dhe fotografia që hyri në histori.
Duke folur për herë të parë për një televizion shqiptar, protagonistet e fotografisë, Sherife dhe Besa Luta, kanë rrëfyer vështirësitë e atij rrugëtimi dhe habinë kur kanë parë foton.
“Pasi kishim ecur 24 orë pa ndërprerje, vajza ngriu dhe nuk qante më. Kishte ngrirë. Mendova që kishte vdekur. E mori kunata ime dhe e futi në furrë të sobës të një shtëpie në Bllacë.
Pas dhjetë minutash nisi të qante dhe refugjatët e tjerë nisën të duartrokisnin. Aty nisa të qaj. Kisha shumë emocione”, tregon e përlotur Sherife Luta.
Ajo tregon gjithashtu se si, gjatë eksodit, shumë njerëz i humbnin ndjenjat, rrinin ditë të tëra pa ngrënë, madje ka pasur dhe gra që kanë lindur maleve. Ato i janë mirënjohëse fotografit boshnjak.
“Do të donim ta takonim fotografin dhe ta falenderonim. Habitem si e ka kapur këtë foto që ka tronditur botën”, thotë Besa.
Përveç fotografisë, ata e ruajnë edhe sot e kësaj dite edhe batanijen që e mbështillte Besën atë ditë.
Më pas, pjesë e intervistës është bërë edhe kryefamiljari Mirvat Lutaj, invalid i luftës së Kosovës.
Ai tha se ishte shumë e vështirë të ndahej nga gruaja dhe nga vajza dhe thekson se lufta ka kosto dhe sakrifica. Pasi u ritakuan, në qershor, familja Lutaj e ndërtoi një shtëpi te re në Kaçanik të Vetër dhe u shtua edhe me dy djem.
Tashmë ato ditë të vështira mbijetese kanë mbetur pas. Vendin e ftohtësisë dhe frikës, e kanë zënë pranvera dhe paqja.