26 Tetor, 2018 - 11:02 pm
Ekskursionet e organizuara në Shqipëri për shkollat e mesme, konsiderohen si më të rëndësishmet për maturantët. Por, sa e arrijnë qëllimin e tyre edukuativo-arsimor tregojnë edhe vetë nxënësit, të cilëve atje ju ofrohen pije alkoolike, mundësitë për blerjen e narkotikëve si dhe qëndrimi deri në orët e vona në plazh. Njohësit e Arsimit si dhe Këshilli i Prindërve në nivel Kosove, thonë se duhet të ndërrojë legjislacioni në mënyrë që të vazhdojë organizimi i tyre.
Janë maturantë, koha kur për ta këndohet edhe këngë. Ideja e përfundimit të shkollës së mesme, është e mërzitshme. Janë në moshën më të mirë, e shumica prej tyre nuk kanë asnjë obligim.
Një nga organizimet që këta të rinjë e presin me dëshirë të madhe është ekskursioni. Ditët që i kalojnë në ekskursion, ata duan t’i bëjnë të paharruara, duke mos menduar shumë as për pasojat e së ardhmes.
Por, a janë të sigurta këto ekskursione që organizohen nga vet shkollat dhe prindërit e nxënësve?
Emisioni “Udhëve” në RTK, ka qëndruar për 3 ditë në Golem të Shqipërisë, ku kryesisht vendosen nxënësit e shkollave të mesme nga Kosova. Qëllimi ka qenë të shihet nga afër mbarëvajtja e ekskursioneve.
Gjatë qëndrimit tonë në Shqipëri, ka rastisur të jenë maturantë të shkollave të disa komunave të Kosovës, si të: Prishtinës, Gjilanit, Skenderajt, Rahovecit dhe të Kamenicës.
Në njërin nga hotelet e Golemit, kanë qëndruar dy gjimnaze të Kosovës, njëri nga Prishtina e tjetri nga Gjilani.
Gjatë ditës, nxënësit kanë vizituar monumente të ndryshme historike në qytete të ndryshme të Shqipërisë, por kur nata ka rënë, atëherë edhe “festat” për ta kanë filluar.
Tymi i duhanit e pijet alkoolike i kanë shoqëruar ata në festën e tyre. Por, dilemë mbetet nëse këta maturantë kanë përdorur edhe substanca narkotike. Kjo për faktin se disa maturantë në kushte anonimiteti na kanë treguar edhe se ku e blejnë atë.
“Këtu jemi të përzier krejt çika e djem”, tregon njëra nga maturantet.
“Unë për veti nuk pi, ama tjertë po valla, po pijnë sa po mujnë, edhe në market po ju lajnë me ble…Birra, Raki, Vodka, Jack Daniel’s, e tjera. Po i lajnë valla krejt me i pi”, tregon më tutje ajo.
Përveç në mbrëmje, nxënësit kanë qasje në pije alkoolike edhe në mes të ditës. Është ora 11:52 minuta dhe disa maturante pijnë njërën nga pijet alkoolike “Skenderbeg”. Kur ato i pyesim, thonë që po pinë vetëm ujë, me dhe pa gaz.
Ato thonë se në këto pije dhe në substancat narkotike kanë qasje edhe në Prishtinë.
“Bari nuk pinë shumë, të Samis nuk pinë shumë bari”, e në anën tjetër ato na ofrojnë edhe çmim për blerjen e tij “a po e don 5 euro gramin…?”.
“Nëse jeni të interesuar për bari, seriozisht mundeni me gjetë shumë lehtë. Veç vijnë knej dhe të ofrojnë, ama nuk i dijmë me ftyra”. Tre shoqet na thonë që jo vetëm në Shqipëri kanë qasje në pije alkoolike dhe narkotik.
“Ti mundesh me e ndal qeta (ekskursionin v.j.), ama nuk do të thotë që na nuk mundemi me ble edhe në Prishtinë bari edhe alkool”.
Disa prej tyre na thanë se lehtë i sigurojnë edhe lëndët narkotike. Ata madje e dinë edhe vendin se ku mund t’i blejnë. Njëri nga maturantët, gjatë qëndrimit në plazh, kur ne e pyesim se ku mund të gjejmë të blejmë, thotë se ai vetë nuk përdor, por e di se ku shitet, pasi shoku i tij e përdorë.
“Ky dosti mbrapa meje e di, ka pi edhe pin… Di gjithçka çka ka ndodhë, unë s’kom pi as alkool as kurgjo…E di që kanë pi, e di që dikund në plazh…”!
Këto pije alkoolike nxënësit i kanë edhe në sy të rojeve të hotelit dhe profesorëve, ato mund t’i blejnë edhe në marketin që është ngjitur në kompleksin e hotelit “Bonita”, në Golem të Shqipërisë.
Të gjithë këta nxënës janë përgjigjur pa dijeninë që ne jemi gazetarë.
“Në plazh, te këta që po i japin varkat…”, është një tjetër nxënës që na përgjigjet. E një tjetër na thotë se “A s’po kalon kërkush me të vetë a”, duke treguar se ka të tillë që sillen rreth nxënësve dhe i pyesin nëse duan lëndë narkotike.
Ai thotë se në hotel ja u kanë marrë gjatë kontrollave.
“S’kena bre se na e kanë marë këta mrena…Po na kontrollojnë kishe…”, ndërsa tregon se lëndët narkotike po i sigurojnë edhe gjatë vizitave në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
“Po dalim në qytetet tjera po mundohemi me e ble… vijnë ta bojnë “do bar?””.
Nëse këta maturantë e kanë thënë të vërtetën se e kanë blerë dhe kanë përdorur substanca narkotike, duhet të mbetet shqetësim i institucioneve përkatëse. Nxënësit nuk janë identifikuar se të cilës shkollë janë.
Por, Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, thotë se problemet e natyrës së tillë janë prezente në shumicën e ekskursioneve të shkollave të Kosovës.
Ai thotë se përdorimi i alkoolit dhe narkotikëve është shqetësim në tërë vendin.
“Defektet e mëdha janë nga përdorimi i narkotikëve gjatë kohës së ekskursioneve, pastaj problemet e ndryshme abuzive që po ju ndodhin nxënësve dhe konfliktet fizike që ndodhin për shkak të mbikqyrjes së dobët apo organizimit të dobët të ekskursioneve”, thotë Reshiti.
Ndërsa për Rinor Qehajën, njohës i çështjeve të Arsimit në vend, ekskursionet e kanë humbur qëllimin e tyre edukativo-arsimor.
“Problemi me ekskursionet është se në tërësi kanë devijuar prej qëllimit të tyre e që është kulturo-historik…Si rrjedhojë kemi raste të dhunës, kemi raste të përdorimit të drogave e shumë raste të tjera e që të dëmtuarit e vetëm janë nxënësit”.
Ndryshe gjërat i shohin udhëheqësit e shkollave. Drejtorët e shkollave në Gjilan dhe Prishtinë thonë se nxënësit i kanë njoftuar për ndalesat e alkoolit dhe narkotikëve.
Megjithatë që të dy pranojnë që në mesin e nxënësve, ka mundur që gjatë ekskursionit ndonjëri nga ta, të thyej këto rregulla.
“Nxënësit ne i kemi pasur në një objekt, si do që të bëhet te ne, fjalët bëhen… Nëse ndonjë nxënës ka marë ndonjë pije, ka qenë marketi aty afër… por në sytë e mi nuk ka ndodhur ajo…Në mbrëmjet muzikore ka pasur mundësi në fillim që ndoshta kanë përvjedhur ndonjë birrë ndonjë nxënës, por ato unë i kam ndalu dhe nuk i kam leju me vazhdu pastaj me to”, thotë Sami Hoxha drejtor i gjimnazit “Zenel Hajdini”, nga Gjilani.
Ndërsa, drejtori i gjimnazit “Sami Frashëri”, në Prishtinë thotë se ata i kanë pasur 320 nxënës në ekskursion dhe monitorimi i të gjithë atyre ka qenë problematik. Ai insiston se nxënësit e tij nuk kanë thyer rregullat e ekskursioneve.
“Në të njëjtën periudhë ka qenë edhe Gjilani…ata më të vërtetë kanë pi shumë. Nuk them që nuk kanë pi nxënësit tonë, edhe ne nuk mundemi aty me pasë qasje në 320 nxënës, mundet dikush pa vetëdijen e stafit arsimor, pa vetëdijen e mësimdhënësve me pi alkool”, tha Fetah Zejnullahu, drejtor i shkollës “Sami Frashëri”, në Prishtinë.
Për drejtoritë Komunale të Arsimit, pijet alkoolike si dhe qëndrimet e nxënësve deri në orët e vona jashtë objektit të Hotelit, janë të papranueshme.
Ata madje thonë se nuk janë të kënaqur as me formën e organizimit të ekskursioneve, pasi në këtë formë se si po organizohen e kanë humbur qëllimine tyre edukativo-arsimor.
“Praktikisht ne kemi një udhëzim administrativ që na udhëzon t’i dërgojmë nxënësit atje, por nëse këto rregulla janë thyer, ne vitin tjetër do ju bëjmë stop ekskursioneve sepse në këtë formë nuk lejohet”, ka thënë për “Udhëve”, drejtori i Arsimit të Prishtinës, Januz Salihu.
Të njëjtin mendim ka edhe drejtori i Arsimit të Gjilanit, Nazim Gagica. Ai thotë se Ministria e Arsimit duhet t’i monitorojë ekskursionet dhe t’i njoftojë ata në lidhje me të gjitha parregullsitë.
“Problemi i përdorimit të alkoolit është problem i theksuar, por për këto që ju i prezantoni, unë nuk kam informata. Për mua është e papranushme qëndrimi në plazh, për mua është e papranueshme përdorimi i pijeve alkoolike, për mua është e papranueshme çdo sjellje joetike, dhe si e tillë duhet me e ndalë”, tha Gagica.
Ne kemi kontaktuar edhe hotel “Bonita”, në Golem të Shqipërisë, ku edhe kanë qëndruar nxnësit. Por ata nuk kanë pranuar që në këtë hotel nxënësit kanë mundur të shërbehen dhe të blejnë alkool.
“Për sa i përket pijeve alkoolike kurrë nuk i kemi shërbyer brenda resortit tonë. Të vetmet pije që konsumojnë tek ne janë ato joalkoolike. Por nxënësit nuk qëndrojnë 24 orë në hotelin tonë. Është e pamundur që alkooli të futet brenda ambienteve tona pasiqë ata kontrollohen nga sigurimi dhe profesorët, e në rast se ne mund të kapim pije alkolike, u merret menjëherë”, kanë thënë stafi i hotel “Bonita” përmes email-it.
Në bazë të Udhëzimit Administrativ numër 2/2016, për aktivitete jashtëshkollore, neni 13, për Monitorimin e Ekskursioneve, Ministria e Arsimit emëron komisionin për monitorimin e ekskursioneve.
Ky komision duhet t’i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, si dhe në rast të parregullsive, komisioni njofton DKA-të. Ne kemi kërkuar me 12 tetor qasje në këto raporte, por një gjë e tillë nuk na është mundësuar.
Gjithashtu, kemi kërkuar të realizojmë intervistë me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë, por as ai nuk ka pranuar të deklarohet, duke deleguar që për këtë temë, të flas Udhëheqësi i Divizionit për Arsim të Përgjithshëm.
Ndërsa, Avni Rexha, shef i këtij Divizioni tha se ata kontrollojnë vetëm pjesën e dokumentacionit si dhe pjesën sanitare të hotelit.
“Unë nuk e di që janë në plazh, unë e di që ato e kanë një agjendë dhe shkojnë në bazë të agjendës. Kemi qenë në vitin 2016, i kemi monitoruar… Me thanë të drejtën ne kemi kontrolluar dokumentacionin a është çdo gjë në bazë të UA-iv. Fillimisht, kemi shikuar se restaurantet ku ushqehen nxënësit, kemi kontrolluar dokumentacionin e agjencioneve turistike si dhe dokumentcionin e shkollës se a e kanë përfillë UA-iv”.
Sipas kryetarit të këshillit të prindërve, Ymret Reshitit, shumica e prindërve kërkojnë që Ministria e Arsimit të dalë me një Udhëzim Administrativ që ndryshon formën e ekskursionit të tanishëm.
“Ekskursionet duhet të kenë karakter edukativ dhe jo karakter të shfrenimit siç po ndodhë, Ministria do duhej të përmirësojë aktin ligjor, qoftë ligjin për arsimin parauniversitar, qoftë të nxjerrë udhëzim të ri administrativ, të definojë saktë qëllimin e organizimit të ekskursioneve”, tha Reshiti për “Udhëve”.
Ndërsa për psikologen Natyra Agani, e cila ka studiuar ngacmimet dhe viktimizimin në mesin e bashkëmoshatarëve, prindërit dhe profesorët janë ata që nuk i përgatisin nxënësit për të ardhmen.
“Profesorët dhe prinderit duhet të merren më shumë me fëmijët e tyre, sepse ata mendojnë se kur fëmijët janë në ekskursione çdo gjë është në rregull dhe mendojnë se koha është si koha kur ata kanë qenë fëmijë dhe tash gjërat janë plotësisht ndryshe”.
Në Ministrinë e Arsimit në lidhje me mos monitorimin e gjithë procesit të ekskursioneve, arsyetohen se ekskursionet janë të gjata dhe ata mund të shkojnë vetëm një ditë gjatë gjithë procesit.
“Ekskursionet organizohen në një periudhë goxha të gjatë dhe nuk munden të qëndrojnë Komisionet e Ministrisë për çdo ditë atje”.
Por, për drejtoritë Komunale të Arsimit është Ministria e Arsimit, ajo që i ka të gjitha mundësitë ligjore dhe monitoruese për ta udhëhequr në vija të drejta ekskursionin.
DKA-të bëjnë thirrje që të rishikohet Udhëzimi Administraiv dhe në këtë formë të ketë më shumë detaje në të, për organizimin e ekskursioneve dhe qëllimin e tyre.
“Ministria duhet të monitorojë disiplinën në radhë të parë dhe qëllimin e ekskursionit, Ministria nuk ka për qëllim me i vizitu kuzhinat e restorantëve”, ka thënë drejtori i DK-së në Gjilan.
Brenda një viti, Policia e Kosovës ka arrestuar 656 persona dhe ka iniciuar 524 raste, ndërsa janë konfiskuar 62.74 g mariuhanë, brenda objekteve të shkollave, 134.38 g mariuhanë në oborre të shkollave dhe 4 kg 051 g mariuhanë në afërsi të shkollave.
Ndërsa, prej 524 rasteve të iniciuara, 14 raste janë brenda objekteve të shkollave, 44 raste brenda oborreve të shkollave, 67 raste afër oborreve të shkollave, kurse nga 656 persona të arrestuar, 140 janë nxënës. Këto të dhëna janë në nivel vendi.
Kurse, për Safet Blakaj nga qendra për këshillim dhe trajtim të varësisë nga droga Labirinth, një përqindje shqetësuese e të rinjëve fillon përdorimin e narkotikëve gjatë ekskursioneve.
“Ka qenë pak shqetësuese fillimi i përdorimit të drogave në ekskursione, jo vetëm drogat, por edhe aktiviteti seksual… Është një numër rreth 15 ose 17 % e klientëve… Është e habitshme se si disa që nuk e kanë pasur as idenë dhe që kanë qenë shumë të urtë në shkolla, ka ndodhë që kanë filluar për herë të parë në ekskursion”, tha Blakaj.
Sipas drejtorit të Arsimit në Prishtinë, Januz Salihaj, legjislacioni duhet të ndrrojë me urgjencë, pasi që ekskursionet e kanë humbur qëllimin e e tyre edukativo-arsimor dhe ekskursionet në Kosovë janë më shumë mbrëmje tallava se sa edukative dhe fajet i ka legjislacioni sepse duhet të jetë strikt./insajderi.com/ KultPlus.com