1 Prill, 2019 - 10:40 pm
Studentët e artit të kulinarisë në “Iowa Central Community College” gjatë së premtes do të shërbejnë ushqim autentik kosovar për të mbledhur fonde, që do të ndihmojnë në mbështetjen e një shkëmbimi rinor midis Fort Dodge dhe qytetit simotër, Gjakovës në Kosovë.
Ngjarja për mbledhjen e fondeve, e quajtur “Shija e Kosovës”, do të mbahet për tri orë në restorantet “Willow Ridge” dhe “Golf Course”, nga ora 18:00 deri në orën 21:00.
Fort Dodge dhe Gjakova u bënë qytete simotra në dhjetor të vitit 2016. Një shkëmbim i të rinjve filloi në vitin 2017.
“Qëllimi është të ndajmë njohuritë dhe të krijojmë ndërgjegjësim për partneritetin dhe iniciativën e qytetit tonë me qytetin simotër”, ka thënë Dawn Larson, specialist i zhvillimit ekonomik të qytetit për çështje biznesore në Departamentin për Zhvillimin e Komunitetit, shkruan “Messengernews”, transmeton “Koha Ditore”. “Por gjithashtu njihemi me kulturën e Kosovës, ushqimin dhe disa nga traditat”. Biletat kushtojë 30 dollarë. Një lloj ankandi i heshtur gjithashtu do të mbahet gjatë mbrëmjes.
Gjenerali Steven H. Warnstadt nga Garda Kombëtare e Ushtrisë në Iowa do të jetë njëri nga ata që do të mbajë fjalim. Warnstadt shërbeu si zëvendësdrejtor i ekipit këshillues të NATO-s në Kosovë nga tetori i vitit 2012 deri në shtator të vitit 2013.
Fondet e mbledhura do të mbulojnë Konferencën Shtetërore, fluturimet, shpenzimet e kampeve, udhëtimet, ushqimet dhe aktivitetet në kohën kur studentët do të jenë në Kosovë.
“Shkëmbimi i të rinjve financohet vetëm nëpërmjet donacioneve dhe fondeve”, ka thënë Larson. “Rinia patjetër bëri shumë përpjekje për të identifikuar, organizuar dhe fituar fonde, por kjo ngjarje ndihmon edhe për të paguar disa shpenzime shtesë”.
Studentëve u kërkohet të kontribuojnë duke zhvilluar dhe duke marrë pjesë në veprimtari të shumta për mbledhjen e fondeve.
Sipas Larson, studentët fituan gati 2 mijë dollarë përmes ngjarjeve të ndryshme për mbledhjen e fondeve më 2018.
Disa ngjarje për mbledhjen e fondeve përfshinin projektimin dhe shitjen e bluzave për shkëmbimin e të rinjve, dizajnimin e një vendi për mbledhjen e fondeve, organizimin e ngjarjeve për mbledhjen e fondeve në restorantet lokale dhe mbajtjen e ngjarjeve të veçanta në shkolla.
Jolene Hays, këshilltare në Fort Dodge dhe Abby Stanek, specialist i programit të të rinjve në Universitetin Shtetëror të Iowas, kryesojnë komitetin e Shkëmbimit të Rinisë.
“Studentët do të kalojnë nëpër trajnime për t’i përgatitur më mirë si ambasadorë të Iowas kur ata të janë në Kosovë”, ka thënë Larson. “Konferenca shtetërore është pjesë e shkëmbimit të ardhshëm të të rinjve.”
“Kur studentët tanë janë në Kosovë, ata bashkëpunojnë me studentët e tjerë ndërkombëtarë në një projekt të shërbimit për komunitetin”, ka thënë ajo. “Dhe kur studentët e Kosovës janë këtu, ne gjithashtu planifikojmë një projekt të shërbimit për komunitetin”.
Gjatë shkëmbimit të fundit, studentët projektuan ngjarje artistike, që u aplikua në një mur jashtë Gjakovës.
“Ishte një projekt për zbukurimin e hapësirës së komunitetit që theksoi rëndësinë e shkëmbimit ndërkulturor”, ka thënë ajo, shkruan koha.net
Në Fort Dodge, studentët e Kosovës punuan me programin për komunitetin “PICA” për të përfunduar një projekt të peizazhit për Shoqërinë Humane të Paqes në Iowa.
“Kishte një sfidë me kafshët e humbura në Kosovë, kështu që ne menduam se do të ishte një iniciativë e mirë për studentët që të kuptonin dhe të merrnin me vete në Kosovë përvojën tonë në këtë aspekt”, ka thënë Larson. Të rinjtë kosovarë do të udhëtojnë në Iowa në qershor të këtij viti. Studentët e Fort Dodge do të udhëtojnë për në Kosovë në korrik./ KultPlus.com