Shiringat shpëtojnë afresket 700-vjeçare në Kishën e Assisit

24 Dhjetor, 2020 - 11:07 am

Asissi, dhjetor (Reuters) – Këtyre ditëve ata po përdorin shiringa mjekësorë në Assisi, por kjo nuk ka të bëjë asgjë me pandeminë. Restauruesit po i përdorin ato për t’i shpëtuar afresket e paçmueshme 700-vjeçare të Giottos.

Ata gati sa nuk kanë përfunduar projektin njëvjeçar për të pastruar dhe konsoliduar afresket në Kapelën e Magdalenës në bazilikën e poshtme të Shën Francisit, që ka përbrenda varrin e shenjtorit të shekullit të 13-të.

Afresket paraqesin skena nga jeta e Maria Magdalenës, përfshirë edhe një ku paraqet Jezusin tek ringjall Llazarin.

Vite më parë, gjatë një kontrolli të afreskeve, restauruesi kryesor Sergio Fussetti dëgjoi ca zhurma kur trokiti në afreske, që tregonte se gëlqerja që i mbante ato po shkëputej ngadalë prej mureve.

Zyrtarët vendosën ta bënin restaurimin e parë të afreskeve në 50 vjetët e fundit.

“Pas pastrimit ne bëjmë konsolidimin. Kjo arrihet duke bërë vrima të vogla dhe duke përdorur shiringa plastike të të njëjtit lloj që përdoren për injektimin e ilaçeve në ne. Ne injektojmë një ngjitës akrilik”, ka thënë Fusetti.

“Pastaj ne i heqim gjurmët e vjetra të restaurimeve të mëparshme që ishin bërë keq apo të bëra me gëlqere. Ne e ribëjmë atë duke përdorur vetëm zall dhe allçi e pastaj vazhdojmë me fazën e fundme, atë estetike, që bëhet vetëm me ngjyra uji”, ka thënë ai.

Bazilika e sipërme, që përfshinte afresket më të famshme të Giottos, ishte dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 1997. Tavani i saj ra duke lënë të vdekur katër njerëz brenda, përfshirë edhe dy murgj françeskanë.

Bazilika e Assisit është një vend pelegrinazhi jo veç për besimtarët, por edhe për artistët dhe studentët e historisë së artit, për shkak se përmban rreth 10 mijë metra katrorë afreske të Giottos dhe mjeshtërve të tjerë, si Cimabue, Simone Martini dhe Pietro Lorenzetti.

“Të gjithë më të mirët që ekzistonin atëherë janë këtu”, ka thënë Fusetti.

Një prej restauruesve, Sara Panzino, ka thënë se ndien një përzierje zilie, privilegji e përgjegjësie teksa pastron dhe prek afresken e Giottos.

“Ka një anë teknike…por në anën tjetër është ndjeshmëria e restauruesit, që sigurisht e bën ndryshimin për shkak se është i përftuar prej përvojës dhe na mundëson ta rikthejmë natyrën e vërtetë të veprës së artit në trashëgiminë e saj historike e artistike”, ka thënë ajo. “Ne e bëjmë diferencën”. / KultPlus.com

Të ngjajshme