6 Nëntor, 2017 - 9:30 pm
Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, më 10 tetor ka nënshkruar vendimin për Listën e Trashëgimisë Kulturore në Mbrojtje të Përkohshme.
Pjesë e kësaj liste e cila është publikuar sot, me numër rendor 935 dhe numër unik në databazë 4513, me propozimin e Kryesisë së Shoqërisë është bërë edhe ndërtesa e ShKA Agimit në Prizren.
Në propozim e Kryesisë të dorëzuar në Ministri më 25 Shtator 2017 është argumentuar se ShKA Agimi (ndërtesa dhe veprimtaria) përfaqëson këto vlera të trashëgimisë kulturore: historike, shoqërore, identiteti dhe shpirtërore, ndërsa është sugjeruar mbrojtje në dy nivele (kategori), si trashëgimi arkitekturale (ndërtesa) dhe trashëgimi shpirtërore (veprimtaria).
“Me shpalljen e ndërtesës aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore do të pengohet çfarëdo tentative tjetër për të dëmtuar dhe keqpërdorur me ndërtesën e ShKA Agimit, e cila përveç që është pasuri e përbashkët, në të njëjtën kohë është edhe simbol i rezistencës shoqërore dhe politike e periudhave më të vështira të vendit tonë”, thuhet në njoftimin për media të SHKA “Agimi”.