26 Nëntor, 2017 - 9:10 am
Sot më 26 nëntor në Shtëpinë e Kulturës në Prizren, me fillim nga ora 19:30, vjen koncerti i ShKA Agimit, kushtuar 28 Nëntorit Ditës së Flamurit, shkruan KultPlus.
Veçantia e koncertit të sivjetmë për Ditën e Flamurit është rikthimi pas shumë vitesh i emrave të njohur në repertorin e Agimit. Koncerti vjen me një program shumë cilësor, me performancës të korit nën udhëheqjen e Fikrim Emrës, oktetit nën udhëheqjen e Besim Berishës, orkestrës nën udhëheqjen e Kastriot Markut, grupit të valltarëve nën udhëheqjen e Luljeta Brahës dhe Blerim Gashit, valltarëve veteranë nën udhëheqjen e Mazllum Karamanit dhe rapsodëve udhëhequr nga Tomë Sokoli. Një numër solistësh, emra të njohur të artit në Kosovë si Rina Bilurdagu, Neki Emra, Elizabeta Krasniqi, Denik Prizreni dhe Agim Tejeci do të jenë gjithashtu pjesë e programit të koncertit.
Koncerti për nder të Ditës së Flamurit është vazhdimësi e protestës artistike të anëtarëve të përkushtuar të ShKA Agimit. Rezistenca e anëtarëve do të vazhdojë në formën e protestës artistike, gjithnjë me synimin që Agimi të kthehet në piedestalin e veprimtarisë dhe namit të vet, si Shoqëri që i bën bashkë të gjithë personat që ia duan të mirën Prizrenit dhe kulturës. Kjo protestë do ta vazhdojë edhe tutje, në mbrojtje të vlerave kulturore dhe artistike të shoqërisë, derisa Agimi t’i kthehet të gjithëve, anëtarëve të vet, dashamirëve e përkrahësve dhe gjithë qytetarëve./ KultPlus.com