12 Maj, 2024 - 5:32 pm
Nëse ka një qytet që lidhet me historinë e biçikletave në Shqipëri, si pjesë e trashëgimisë, ky qytet është Shkodra.
Ishte viti 1907, më shumë se një shekull, kur në Shkodër u pa të lëvizte një i huaj. Ai përdorte një mjet që askush nuk e kishte parë më parë. Ky burrë ishte Konsulli i Nderit i Suedisë, ndaj edhe kureshtja për ta parë ishte mjaft e madhe. Dëshmitë e kohës rrëfejnë se kush e dëgjoi, u dynd andej nga rruga kryesore ku ai lëvizte që ta shihte me sy atë mjet që ecte mbi dy rrota pa u tërhequr nga kafshët.
Në kuadrin historik duhet të përmendim edhe një foto të dy burrave me biçikleta, të nxjerrë nga fototeka “Marubi” e vitit 1897, me veshje kombëtare shqiptare, por që nuk janë të evidentuar se kush janë.
Por Shkodra shënon edhe një rekord tjetër që lidhet me biçikletën. Gruaja e parë që nisi një biçikletë ishte sërish një grua, e kësaj radhe, vinte nga konsullata austriake. Njerëzit sërish u dyndën nëpër rrugë për ta parë atë dhe kuptuan se dyrrotaku nuk ishte pronësi vetëm e meshkujve, por se edhe femrat mund ta ngisnin një të tillë.
Kështu biçikleta fitoi qytetarinë e saj. Është fakt interesant se në vitin 1915, policia e qytetit u pajis me biçikleta dhe ushtronte detyrën e saj duke përshkuar rrugët me to.
Me shtimin e numrit të biçikletave, një grup qytetarësh shkodranë, në vitin 1920 vendosën të krijonin sportin e çiklizmit. Rrethi i parë çiklistik, që është edhe i treti në Europë për nga vjetërsia, pas Francës e Italisë, është organizuar pikërisht në Shkodër. Ndaj dhe në vazhdimësi Shkodra ia ka dhënë tonin këtij sporti, aq sa jo vetëm të rriturit, por nuk ka fëmijë që të mos dijë të ngasë biçikletën.
Nga fundi i viteve ’50 të shekullit të kaluar, kur Shkodra kishte rreth 60.000 banorë, ka të dhëna të plota se në qytet numëroheshin mbi 10.000 biçikleta. Ishte koha kur edhe biçikletat regjistroheshin dhe çdo qytetar, ndaj një pagese simbolike merrte një llamarinë me fushë të bardhë sa një celular mesatar, ku kishte të stampuar numrin, që ishte i detyruar ta vendoste nën shalën e biçikletës.
Shkodra ka disa rekorde sa i takon biçikletës, p.sh., biçikleta e parë dyshe hyri në Shkodër, sikundër pati edhe numrin më të madh të dyqaneve të shërbimit për riparimin e tyre./atsh/ KultPlus.com