Shkolla gjermane që bart emrin e shqiptarit i cili shpëtoi dy familje hebreje, shënon 3 vjetorin

11 Tetor, 2017 - 2:24 pm

Shkolla gjermane në Berlin ka tri vite që bartë emrin e shqiptarit Refik Veseli. Ky emërtim erdhi si rezultat i gjestit human të shqiptarit Refik Veseli i cili kishte shpëtuar së bashku me familjen e tij dy familje hebreje (Familjen Mandil dhe Familjen Jozef) gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Me moton “Shqipëria në Berlin”, aktivistja e njohur shqiptare nga Berlini, Vjollca Hajdari, ka ndërmarrë një iniciativë për përkujtimin e kësaj shkolle, tri vjet pas marrjes së këtij emri. Përmes një statusi në Facebook ajo ka treguar më shumë rreth kësaj historie e cila e bënë krenarë atë dhe secilin shqiptarë.

“Kur shkolla gjermane në Berlin bëri para tre vjetësh hapin historik dhe vendosi emrin e shqiptarit Refik Veseli, përpos që përçoi mesazhin e paqes nga Berlini dhe Gjermania, ajo nderoi me këtë akt gjithë popullin shqiptar. Refik Veseli tanimë i njohur si hero, kishte shpëtuar – së bashku me familjen e tij – dy familje hebreje (Familjen Mandil dhe Familjen Jozef) gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. 17 vjeçari i atëhershëm është nderuar nga Izraeli si shqiptari i parë me titullin “Të Drejtët ndër Popuj” bashkë me familjen e tij. Ky titull u është ndarë 69 shqiptarëve nga 23.788 “Të Drejtëve” në mbarë botën. Për të rikujtuar veprën e tij monumentale, unë i jam drejtuar shkollës “Refik Veseli” që të festojmë këtë vit bashkërisht. Me këtë rast do të shpalosim edhe njëherë faqet e historisë, duke reflektuar rreth anës së errët të luftës por edhe mbi pjesën e ndritshme që solli një miqësi e paharruar. Populli shqiptar ka dëshmuar historikisht shpirtin bujar dhe mikpritës, ndaj BESA si kod i nderit , mbetet si një ndër atributet më të ndritshme, pa dallim besimi fetar. Ju ftoj pra miq të dashur që të ndjekim së bashku video mesazhet që më kanë dërguar anëtarët e familjes Veseli dhe pjesëtarët e familjes Mandil, ku ata shprehin falënderimet dhe mbresat e tyre. Me pamundësinë për t’i sjellë të gjithë në Berlin, unë i kam kontaktuar të dy familjet që jetojnë në Shqipëri, Amerikë dhe Izrael dhe ju jam mirënjohëse të gjithëve që shprehën gatishmërinë e menjëhershme për të bashkëpunuar”, ka shkruar Vjollca Hajdari në Facebook aty ku edhe ju bënë ftesë për pjesëmarrje në këtë ngjarje.
Në programin kulturor-artistik të organizuar për këtë përkujtim, do të marrë pjesë grupi i valltareve shqiptare të shoqatës “Albunivers”, grupi i teatrit të shkollës “Refik Veseli” dhe nxënësit e arsimtarët e shkollës me ca pika muzikore. Një fjalë rasti do ta mbajë edhe drejtoresha e shkollës, Dr. Ulrike Becker.

Ngjarja do të mbahet sot nga ora 18:00 në Bashkinë e Berlinit (Berliner Rathaus) Salla 338 (Kati i 3-të). / KultPlus.com

Në foto: Refik Veseli dhe Gavra Mandil, biri i familjes së shpëtuar hebreje, Mandil

Të ngjajshme