Shoqata “Jakova” po mbledh punime rreth jetës dhe zhvillimeve të viteve 1990-1999

6 Maj, 2019 - 10:40 pm

Shoqata e Intelektualëve “JAKOVA” u ka bërë thirrje të gjithë intelektualëve kosovarë që të sjellin punime autoriale në lidhje me zhvillimet që kanë ndodhur midis viteve 1990-1999 në Gjakovë dhe fshatrat e saj.

Ndërkaq, këto punime është planifikuar të prezantohen në një konferencë, që do të mbahet me 15 qershor, por afati i fundit për dorëzimin e abstrakteve të këtyre punimeve, është data 15 maj.

“Shoqata “Jakova” tashmë ka vu në programin e saj edhe projektin me titull: “Gjakova: 1990-2000”, për ta sjellë në kujtesë dhe për të mos i harruar vitet 1990- 1999 dhe zhvillimet politike, sindikale, në arsim, në shëndetësi, në ekonomi (e sidomos industri), në zejtari, në kulturë, procesi i migrimit.. dhe të gjitha ato që e kanë karakterizuar jetën në Gjakovë dhe në fshatrat e Gjakovës”, ka bërë të ditur kryetari i saj, Ruzhdi Sefa.

Ai ka thënë se vend të veçantë, në këtë konferencë do të zënë ndodhitë dhe përjetimet e popullatës shqiptare të Gjakovës, si pjesëmarrja dhe lufta e UÇK-së, flakët e luftës, dëbimi i banorëve nga fshatrat, strehimi në familjet e Gjakovës, ndihmat… dhe çlirimi, kthimi i popullatës në vatrën e vet.

“Me këtë projekt unik, Shoqata e ka për qëllim t’i shënojë dhe të lërë gjurmë të zhvillimit historik të ngjarjeve, të situatave tepër të rënda, të angazhimeve, të veprimtarisë së personave dhe të familjeve”, ka thënë Sefa.

Ai ka shtuar se autorët këto të gjitha duhet t’i paraqesim sa më besnikërisht, sa më realisht, pa zbukurime e lavdërime.

“Me një fjalë, të paraqitet ashtu siç ka ndodhur gjithçka deri në imtësinë më të hollë, duke i paraqitur ngjarjet në shumë rrafshe, pa harruar kontributet e të gjithë atyre personave që kanë ndihmuar ta zbusin gjendjen dhe t’i kalojnë sa më me pak pasoja rrethanat e krijuara si pasojë e shkatërrimeve nga armiku”, ka thënë Sefa.

Ai ka theksuar se projekti “Gjakova: 1990-2000” do të finalizohet me një konferencë tematike me punimet autoriale, e cila do të mbahet më 15 qershor 2019. Të interesuarit për pjesëmarrje paraprakisht duhet të paraqiten me një abstrakt me 100-150 fjalë. Afati për dorëzimin e abstrakteve është 15 maji. Kurse, punimet e pranuara nga ana e Këshillit organizativ duhet të dorëzohen më së largu me 5 qershor 2018. Punimet e pranuara e të lexuara në Konferencë do të botohen si monografi me të njëjtin titull.

“Ky projekt është i të gjithë neve, kurse ideja është e Shoqatës ‘Jakova’, prandaj qytetarë të komunës së Gjakovës, jepni kontributin tuaj dhe ndihmoni ta shkruajmë kronikën tonë të përbashkët, sepse në vitin e largët 1913 të njëjtët armiq na e dogjën, ose na e vodhën kronikën (“sixhilin”) e Gjakovës, këtë radhë ndihmoni mos të na i vjedhë koha të gjitha ngjarjet që na kanë ndodhur dje”, ka thënë Sefa./koha.net/KultPlus.com

Të ngjajshme