1 Mars, 2018 - 9:10 am
Katër kandidatë për drejtor të ansamblit të këngëve dhe valleve “Shota” janë intervistuar të mërkurën. Shefqet Gjocaj, Mehmet Xhemajli, Arta Mulliqi dhe Sevdije Ajeti i janë përgjigjur Këshillit Drejtues. E dy prej atyre që ia kanë mësyrë kësaj pozite, Agim Gëguri e Dilaver Kryeziu, nuk janë ftuar fare.
Pikërisht ky i fundit ka akuzuar se në rastin e tij ka ndërhyrje politike. Këshilli Drejtues i këtij institucioni ka marrë vendim të mos e ftojë Kryeziun për intervistim, për shkak të vendimit të komisionit disiplinor të vitit 2012 që kishte të bënte me rastin e kamerave, për të cilën gjë ai u shkarkua nga pozita e drejtorit. Tash koreografi Kryeziu me ankesën për përjashtim nga gara, ka mbërritur deri në Inspektoratin e Punës të Regjionit të Prishtinës.
Konkursi për drejtor të “Shotës” qe mbyllur më 29 janar, për t’u vazhduar për shtatë ditë, për të arritur pranimin e balancuar të aplikacioneve nga aspekti gjinor dhe etnik. E prej datës 5 të muajit shkurt, e deri të mërkurën pasdite nuk është marrë vendimi se kush do të udhëheqë me “Shotën”, shkruan KohaDitore./ KultPlus.com