Shpella e Piratëve

22 Korrik, 2018 - 8:55 am

Gjendet në falezën detare në kodrinën ku ndodhet Manastiri i Shën Theodhorit. Përfaqëson një shpellë karstike të formuar në shkëmbinjtë gëlqerorë. Emrin e ka marrë, sepse në të strehoheshin piratët e detit me anijet e tyre të lehta, shkruan KultPlus.

Baza e hyrjes së saj është në pasqyrën ujore, madje edhe në metrat e para të saj ka ujë dhe blloqe shkëmborë të rrëzuar. Një bllok shkëmbor në formën e një kollone e ndan hyrjen në dy pjesë.

Kur deti është i qetë, ajo vizitohet me lehtësi, ndërsa kur ka dallgë të forta hyrja e saj pothuaj bllokohet plotësisht. Nuk është eksploruar e dokumentuar, por ka banorë që janë futur brënda saj.

Ka gjatësi mbi 30 m e pjerrësi graduale. Nuk ka forma kalciti në tavanin e saj, por ka dy oxhaqe. Në njërin prej tyre, me pak vështirësi ngjitesh dhe del në sipërfaqe, në shpatin e kodrës.

Prej këtej banorët kanë hedhur gurë brenda shpellës për kuriozitetin e thellësisë së saj. Njeri oxhak nuk dihet se ku të çon, ndoshta në ndonjë shpellë tjetër të katit të dytë.

Gjerësia e kësaj shpelle është mbi 8 m, ndërsa lartësia arrin në mbi 10 – 12 m.
Vizitohet duke shkuar me varkë nga plazhi i Dhërmiut ose ai i Jalit. Por mund të shkohet deri tek Manastiri i Shën Theodhorit dhe pastaj të depërtosh nga oxhaku në brendësi të Shpellës. Ka vlera gjeomorfologjike, historike e turistiko – didaktike./ KultPlus.com

Të ngjajshme