Shpella e Qirave, atraksion unik dhe pasuri e fshehtë në qytetin e Gjakovës

16 Tetor, 2020 - 10:25 pm

Përveç Shpellës së Kusarit që ndodhet në Gjakovë, ndodhet edhe një shpellë tjetër në fshatin Gërqinë, po në këtë qytet, e cila quhet “Shpella e Qirave”.

Kjo shpellë është e vjetër por nuk dihet më shumë në lidhje me historikun e saj, sepse nuk ka të dhëna të sakta.

Në një intervistë të zhvilluar me Drejtorin e Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Gjakovës, Ferdinand Kolaj në lidhje me këtë çështje ka thënë se Komuna e Gjakovës, përkatësisht Drejtoria për Zhvillim Ekonomik në kuadër të aktivitetit të vet nga investimet kapitale për vitin 2020 ka paraparë investimin në Shpellën e Qirave, duke përfshirë shtegun deri tek shpella, pastrimin dhe shenjëzimin.

Buxheti i paraparë nga ana e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik është 40,000.00 euro

“Qëllimi i këtij investimi është që kjo bukuri natyrore të jetë e qasshme për vizitorët, pra të shfrytëzohet për turizëm. Buxheti i paraparë nga ana e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik është 40,000.00 euro. Punët janë në përfundim dhe së shpejti do të përfundojë ky investim”, ka thënë Kolaj, i cili ka shpjeguar se për momentin nuk kujdeset askush për këtë shpellë,  sepse sipas tij nuk ka qenë e qasshme, dhe të vetmit që e kanë vizituar këtë shpellë janë banorët e fshatit, apo edhe të banorëve përreth.

 “Por pas investimit duhet të shohim një kompani apo shoqatë e cila do të merret me përkujdesjen e kësaj pasurie natyrore. Pas përfundimit të punimeve,  besojmë brenda muajit, do të jetë një ndër atraksionet turistike në Kosovë,  sepse është afër Shpellës se Kusarit, në të cilën vitin e kaluar kemi investuar dhe sot është një ndër atraksionet kryesore turistike në Kosovë”, shtoi ai.

Rruga deri te shpella është e vështirë, por pas investimeve do të eliminohet edhe ky problem

Ai më pas ka thënë se tash për tash rruga deri te shpella është e vështirë, por beson se pas investimeve do të eliminohet edhe ky problem, duke dhënë detaje se kjo shpellë nga brenda ka një hapësirë të madhe dhe është shumë bukur, dhe ja vlen të vizitohet.

Mirëpo, jo shumë qytetarë të kësaj komune janë në dijeni se ekziston një shpellë e tillë.

Kristella Hajdaraj e cila është banore e një fshati në Gjakovë ka thënë se nuk ka dëgjuar ndonjëherë për këtë shpellë, ndoshta, sipas saj edhe si mungesë e informacionit.

Kurse Kujtim Mehmeti është në dijeni për këtë shpellë, dhe sipas tij ai e ka vizituar këtë bukuri natyrore, por ai ka shpjeguar se brenda shpellës është shumë errësirë.

Kurse Ilir Shala e shpjegon si një përvojë që i ka lënë shumë mbresa.  “Kjo shpellë ka një bukuri natyrore shumë mbresëlënëse dhe ia vlen të vizitohet nga banorët e Kosovës, dhe poashtu nga turistë nga bota”, ka thënë Shala.

Kurse Shpellën e Qirave, Lekë Muqaj e ka vizituar në vitin 2015 bashkë me Shoqatën e Bjeshkatarëve. Ai ka thënë se deri te kjo pikë turistike, turistët mund ta shfrytëzojnë edhe për ngjitje, pasi që terreni është i tillë që duhet një ngjitje deri te kjo zonë.

Gjatë kësaj rruge janë tri maja, Maja e Koznikut 1005m, Maja e Zatriqit 1043m dhe Maja e Gradishit 1034m”.

Me investimet që do të bëhen në këtë zonë turistike është përfshirë edhe investimi në shtegun që të qon drejt Shpellës së Qirave, investim që besohet se do të sjell edhe një pikë turistike në Kosovë, e që do të jetë e shfrytëzueshme edhe për të vizituar shpellën, por edhe për të bërë ngjitje drejt këtyre majave. Linda Krasniqi / KultPlus.com

Të ngjajshme