Shpella e shkruar e Lepenicës drejt shpalljes monument kulture i kategorisë së parë

15 Mars, 2025 - 1:59 pm

Shpella e shkruar e Lepenicës ka marrë statusin e mbrojtje paraprake, një hap drejt shpalljes Monument Kulture i kategorisë së parë.

Lajmi u bë i ditur nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë duke theksuar se ky vendim erdhi pas propozimit të kësaj drejtorie, Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik (IKTK) dhe Institutit të Arkeologjisë së Tiranës, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale.

Piktura shkëmbore e “Shpellës së Shkruar të Lepenicës” është një dëshmi e rrallë e artit shkëmbor prehistorik, e vetmja e identifikuar deri më tani në Shqipërinë Jugperëndimore.

Propozimi u bë mbi bazën e punës së realizuar nga arkeologu Prof. Dr. Muzafer Korkuti, për dokumentimin dhe studimin e pikturës në vitin 1984, si dhe mbi bazën e punës për ridokumentimin e saj, të realizuar nga projekti shqiptaro-spanjoll “Lepenica” bashkëpunim i DRTK Vlorë, Institutit të Arkeologjisë dhe Escola Superior de Conservación e Restauración de BBCC de Galicia, Spanjë.

Sipas Akademikut Muzafer Korkuti, piktura shkëmbore e Shpellës së Shkruar në Lepenicë është vepër origjinale me një bazë konceptimi të sajën dhe përfaqëson një stad të caktuar të artit prehistorik, ku përfytyrimi abstrakt i kohës është paraqitur në mënyrë monumentale.

Piktura është krijim i rrallë i artit neolitik, që me ideogramat e tij dhe me mjetet dhe mënyrën e vet, ka paraqitur një “mesazh” të banorëve të kohës./ KultPlus.com

Të ngjajshme