2 Shtator, 2018 - 9:26 pm
Rreth 20 mijë vizitorë ka pasur deri në këtë fazë të vitit Shpella e Gadimes.
10 mijë prej tyre llogaritet të kenë frekuentuar brendësinë e kësaj shpelle të rrallë vetëm gjatë muajve të verës, raporton koha.net
Në mesin e shumë bashkatdhetarëve që vizitojnë këtë monument natyror, është edhe Rami Osmani nga Melburni i Australisë, që ka ardhur për të parë sërish shpellën pas 15 vjetësh.
“Vij nga Melburni për të vizituar Kosovën, në pushime. Kam qenë në këtë shpellë më 2003, është një atraksion shumë i mirë, të bën të kthehesh përsëri e përsëri për ta vizituar. E mrekullueshme!Shumë ndryshime mbaj mend nga 2003-ta, është kujtim i mirë nga ajo që mbaj mend. Ende nuk kam hyrë brenda, por besoj që do të jetë një përvojë e mrekullueshme”, ka thënë Osmani
Të kënaqur me shifrat, janë drejtuesit e shpellës. Por, thonë se ky numër do të mund të ishte edhe më i madh sikur Shpella e Gadimes të promovohej edhe përmes guidave shtetërore. Pos kësaj, shpella që menaxhohet nga Ministria e Mjedisit, ka nevojë edhe për investime. Rrjeti i ri i ndriçimit në Shpellën e Gadimes është një investim i domosdoshëm, pasi në të vjetrin, që daton nga vitet e ’70-ta, që atëherë janë bërë vetëm investime të pjesshme, por që janë të pamjaftueshme. Përderisa në Divizionin për Turizëm të Ministrisë së Tregtisë, nuk kanë dhënë asnjë përgjigje, në Ministrinë e Mjedisit kanë thënë se do t’i investojnë 25 mijë euro për ndriçim.
“Kemi në projekt, fazën e fundit të ndërrimit të lidhjeve, kabllove dhe instalimeve të nevojshme me një vlerë rreth 25 mijë euro, të cilat do ta rregullojnë sistemin përfundimisht për 10-20 vjetët e ardhshëm. Specifikimi dhe para-masat e projektit janë përgatitur; mjetet ka gjasa që t’i sigurojmë brenda dy javëve dhe ta publikojmë tenderin”, ka thënë Bajram Kadriu, zyrtar për informim në MMPH.
Rreth 40 mijë llogaritet të ketë qenë numri i vizitorëve të këtij atraksioni natyror gjatë vitit të kaluar./ KultPlus.com