18 Tetor, 2020 - 11:27 am
Besimtarët e Vodicës do të mund ta festojnë Shën Nikollën, më 6 dhjetor, të qetë këtë vit.
Pas ndërhyrjes së specialistëve të Drejtorisë të Trashëgimisë Kulturore, Korçë, kambanarja e kishës, në këtë fshat të Kolonjës, i shpëtoi shembjes.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti sipas së cilës ndërhyrja u krye pas kërkesës së komunitetit.
“Si një kërkesë e komunitetit, por dhe si interesim i DRTK-së, për të ruajtur këtë pasuri kulturore, u krye një ndërhyrje shpëtimi, ndërkohë që puna vijon në të tjerë elementë të objektit shekullor”, u shpreh Margariti.
Kisha e Shën Kollit në Vodicë, është rishpallur monument kulture në vitin 2015 dhe ka pasur problematika të shumta, deri në degradim të këmbanarisë e cila rrezikonte dhe shembjen.
Faktor kryesor i problematikave janë, tërmetet të cilat kanë shkaktuar inklinim dhe çarje në muraturë, ndërs si pasojë e lagështisë ka pasur dëmtime të materialit lidhës.
Vodica është një fshat i vogël rreth 7 kilometra në veriperëndim të Ersekës. Bëhet fjalë për një fshat të veçantë për shkak të kishës ortodokse të ruajtur mirë, që daton në shekullin e 18-të. /atsh/ KultPlus.com