18 Prill, 2018 - 4:45 pm
Trashëgimia kulturore dhe traditat shqiptare tërhoqën vëmendjen e vizitorëve në Panairin Diplomatik Solidar 2018 të organizuar në Madrid, Spanjë, të cilët shfaqën interes për bukuritë natyrore të Shqipërisë.
Panairi u zhvillua në Pallatin e Kongreseve në Madrid nga Shoqata Ndërkombëtare e Diplomatëve në Spanjë (AIDE), në bashkëpunim me Fondacionin “Mbretëresha Sofi”, ndërsa ai u përurua dhe u përshëndet nga mbretëresha Sofi.
Ambasadori i Shqipërisë në Spanjë, Ridi Kurtezi në një prononcim për ATSH-në tha se “në këtë panair morën pjesë rreth 50 përfaqësi diplomatike, 3000 vizitorë, 15 grupe artistike të vendeve pjesëmarrëse, të cilët transmetuan mesazhin e solidaritetit, paqes dhe bashkëpunimit. Stenda shqiptare ishte nga më të vizituarat për vetë llojshmërinë e produkteve tradicionale të ekspozuara dhe paraqitjes së disa kostumeve popullore të Shqipërisë së Mesme”.
“Stenda shqiptare u përfaqësua denjësisht me produkte të gastronomisë, artikuj artizanati, prospekte turistike, letërsi shqiptare dhe kostume popullore”, tha Kurtezi.
Ambasadori Kurtezi u shpreh se “gastronomia shqiptare ishte nga më të preferuarat nga të pranishmit dhe bashkëpunimi i ambasadës me shqiptarët në Madrid, kontribuoi në suksesin e përfaqësimit dinjitoz të vendit në këtë aktivitet të rëndësishëm”.
“Stendën e Shqipërisë e vizitoi mbreterësha Sofi, e cila përgëzoi angazhimin e përfaqësisë shqiptare dhe tregoi interes të veçantë duke u përshëndetur edhe me të pranishmit. Nëpërmjet stendave të tyre, çdo vend ekspozoi artikuj artizanati dhe produkte gastronomie tradicionale. Fondet e grumbulluara u destinuan për projektet në ndihmë të njerëzve të sëmurë dhe në nevojë. Po ashtu, me këtë rast nga pjesëmarrësit u promovua edhe turizmi, arti dhe në përgjithësi imazhi i secilit vend”, theksoi ambasadori Kurtezi.
Lidhur me ndikimin e organizimit të këtij panairi në tërheqjen e turistëve të huaj drejt Shqipërisë, Kurtezi shprehet se “përfaqësimi i vendit në këtë panair dhe vizitorët e shumtë në stendën tonë treguan një interesim për traditat dhe kulturën që ne përfaqësojmë. Unë besoj se përfaqësimi në këtë aktivitet do të jetë një vlerë e shtuar në përpjekjet tona të përbashkëta në promovimin e imazhit pozitiv të vendit dhe në ekspozimin e potencialit dhe kapacitetit turistik të vendit”.
“Vlen të theksoj se tashmë prej disa vitesh Shqipëria shfaqet si një destinacion turistik për spanjollët dhe kjo edhe si rezultat i disa vizitave turistike dhe disa dokumentarëve në të cilat janë promovuar bukuritë natyrore të vendit dhe janë inkurajuar operatorët turistikë vendas për të përfshirë Shqipërinë në paketat turistike”, tha Kurtezi.
Stendën e Shqipërisë e vizitoi Mbretëresha Sofi, e cila përgezoi angazhimin e përfaqësisë shqiptare dhe tregoi interes të veçantë duke u përshëndetur me të pranishmit. Mbretëresha Sofi përmendi vizitën e saj në Tiranë në vitin e kaluar duke përcjellë përshtypjet dhe vlerësimet më të mira.
Ambasadori i Shqipërisë, Kurtezi i dhuroi Mbretëreshës Sofi, librin “Pallati i Ëndrrave” të shkrimtarit Ismail Kadare dhe e ftoi që të rivizitojë vendin në një kohë të favorshme për të./ATSH/ KultPlus.com