Shqipëria dhe Kosova pjesë e konkursit për dokumentimin e kulturës

6 Shkurt, 2021 - 11:21 am

Wikimedia ka organizuar një konkurs ndërkombëtar fotografik të quajtur “Wiki Lovers Foklore”. Synimi i saj është dokumentimi i kulturave të ndryshme anëembanë botës.

Shqiptarëve, si në Shqipëri dhe në Kosovë u bëhet thirrje të futen në arkivat e tyre të fotove ose të vizitojnë muze, vende me përmbajtje folklorike ose historike dhe t’i ngarkojnë ato në “Wiki Loves Folklore in Albania and Kosovo” (kliko këtu).

Qëllimi themelor i konkursit është të mbledhë fotografi të larmishme kulturore e njerëzore për të ilustruar artikujt në enciklopedinë e lirë botërore “Wikipedia” dhe projektet e tjera të organizatës së Wikimedia-s.

Wiki Lovers Foklore

Fotografitë duhet të përputhen me tematikën e folklorit: të paraqesin pamje nga festivale folklorike, valle, kuzhinë, veshje tradicionale ose rutinë e jetës së përditshme duke theksuar kulturën popullore shqiptare.

Afati kohor për dorëzime është 1 shkurt 2021 deri më 28 shkurt 2021. Do të jepen çmime dhe certifikata për tre fotografitë më të mira ku vendi i parë fiton 50 euro, i dyti, 30 dhe i treti 20 euro.

Të gjithë mund të marrin pjesë, pavarësisht moshës, kombësisë dhe vendit ku jeton. Mjafton që të pranoni t’i publikoni fotot tuaja nën licencën Attribution-ShareAlike 4.0 International (ç BY-SA 4.0).

Që të merrni pjesë në këtë konkurs, duhet të keni një llogari në Wikimedia Commons, të bëni fotografi të kulturës popullore shqiptare ose të Shqipërisë dhe Kosovës dhe t’i ngarkoni fotografitë në Commons. Mos harroni të shtoni Kategorinë:Imazhe nga Wiki Loves Folklore 2021 në Shqipëri. /dp/ KultPlus.com

Të ngjajshme