15 Maj, 2018 - 8:22 pm
Falë një marrëveshjeje të nënshkruar sot në Beograd nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, do të mundësohet bashkëpunimi mes dy vendeve kryesisht në fushën e turizmit.
Promovimi i përbashkët mes Shqipërisë e Serbisë do të bëhet me anë të paketave të përbashkëta turistike, programeve arsimore, aftësimit profesional të personelit, si dhe studime dhe projekte kërkimore në fushën e turizmit.
Marrëveshja dypalëshe u nënshkrua nga ministri Klosi me homologun e tij serb të Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Rasim Lajić.
“Së bashku me ministrin Lajic ne do të punojmë që ofertat të mos jenë vetëm shqiptare dhe serbe, por të jenë një bashkëpunim midis gjashtë institucioneve të turizmit të rajonit tonë, së bashku me Malin e Zi, Bosnje–Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë”, – tha ministri Klosi për median.
Nga ana e tij, ministri serb u shpreh se me produktin e përbashkët turistik shtohet mundësia që të tërheqin turistët, para se gjithash të tregjeve të treta. “Nuk ka rrugë më të mirë sesa turizmi dhe eksperiencat personale që mund të kenë njerëzit për të tejkaluar çdo pengesë”, – u shpreh Lajic. Pas takimit të dy ministrave u zhvillua edhe një takim midis tur operatorëve shqiptarë dhe serbë.
Gjatë qëndrimit në Beograd, ministri Klosi mori pjesë edhe në takimin e dytë të nivelit të lartë të samitit të pyjeve midis Kinës dhe vendeve të Europës Lindore. / KultPlus.com