1 Korrik, 2018 - 11:00 am
Turizmi elitar në Shqipëri është duke u kthyer në një realitet. Para pak ditësh, në Shqipëri kanë ardhur përfaqësues të një kompanie gjermane mjaft prestigjioze në Europë, që ka shprehur interesin për të investuar. “Kjo është elita që sjell elitën”, – u shpreh për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Ilda Kasa, administratore e “Happy Tours”, një nga operatorët turistikë në vendin tonë.
“Turizëm elitar do të thotë që emra shumë të njohur, apo persona shumë të pasur, të shkojnë në një vend që ka një emër dhe është një brand. Këto emra, që mund të vijnë nga Gjermania, Franca, Suedia, Norvegjia, kudo që të jenë në Europë, duan të shkojnë në një vend tjetër për turizëm, ku zakonisht rrinë në rrethet e tyre, pra duan nivelin e tyre, pra hotele me 5 yje e lart, facilitete dhe kushte të nivelit që ata kërkojnë”, – thotë Ilda Kasa.
“Qeveria ka dhënë një mbështetje maksimale me të gjitha politikat fiskale, lehtësitë, dhe të gjitha reformat e ndërmarra në këtë sektor. Kjo është ndihma më e madhe që mund t’u japësh operatorëve. Prandaj, jo më larg se tre ditë më parë në Shqipëri erdhi një nga brandet me të njohura, më prestigjioze në Europë, që ka qendrën në Gjermani, “Rewe group der Touristik”, që shprehu interesin për investime në vendin tonë. Ky është një tregues i rëndësishëm dhe jam e bindur se kjo është rruga e duhur, duke krijuar një brand të mirë, duke krijuar një imazh, i cili tërheq dhe krijon pra brendin e ri”.
“Puna që po bëhet nga qeveria është shumë e mirë. PR në panaire, reklamat në mediat ndërkombëtare, hartat, i gjithë suporti që po marrim është maksimal. Dhe një PR edhe më i mirë me kompanitë e një brendi elitar do të sillte një emër dhe imazh më të mirë për vendin, pasi kjo është elita që do të sjell elitën”, – tha Kasa. /ata