10 Prill, 2021 - 11:29 am
Ajo që kishte nisur në fillim të këtij viti me marrëveshje për restaurim të Xhamisë së Plumbit në Shkodër, është pasuar së fundmi edhe me një marrëveshje tjetër mes ministrive të Kulturës së Shqipërisë dhe asaj të Turqisë.
Krejt kjo ka ndodhur jo pak kohë pas rastit kundërthënës të investimit të TIKA-s në Hamamin e Madh të Prishtinës, i cili, sipas projektit turk, planifikohej të tjetërsohej edhe në emër, duke u quajtur si “Muzeu i Hamamit të Pushtuesit”. Por për ministren e Kulturës të Republikës së Shqipërisë, marrëveshja e firmosur në Gjirokastër nuk është vetëm “për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe në fusha të tjera të artit si kinematografi, botime, përkthime e shkëmbime kulturore”
Përvoja jo fort e mirë me autoritetet turke rreth investimeve në objektet e trashëgimisë kulturore nuk është parë si pengesë nga institucionet e shtetit shqiptar. Rreth dy javë më parë, Komuna e Prishtinës dhe Agjencia qeveritare Turke për Zhvillim dhe Rindërtim (TICA) nënshkruan memorandum bashkëpunimi për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës. Me projektin në vlerë prej 1 milion eurosh synohej “rikthimi i origjinalitetit” të objektit gati pesëshekullor. Por videot e projektit kishin bërë me dije se ai qe emëruar si “Fatih Hamami Müzesi” (në shqip “Muzeu i Hamamit të Pushtuesit”).
Fill pas raportimit të KOHËS për projektin që po tjetërsonte monumentin edhe në emër, në opinionin publik ishin ngritur shqetësime të shumta për emërtimin e ri që lidhej me emrin e sulltanit të gjysmës së dytë të shekullit 15, Mehmeti II, me emrin e të cilit lidhet pushtimi i Kostandinopojës dhe një pjese e konsiderueshme e Ballkanit Jugor.
Me këtë sulltan lidhen po ashtu edhe fushatat e egra perandorake ndaj tokave arbërore, sikundër edhe pushtimi i Krujës dhe Shkodrës që shënoi pushtimin e Arbërisë pas rezistencës gjysmëshekullore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu.
E me një marrëveshje të përbashkët, Shqipëria dhe Turqia synojnë që të bashkëpunojnë në fushën e artit, arkeologjisë, muzeologjisë, luftës kundër trafikut të paligjshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore, si dhe mbrojtjes së të drejtave të autorit.
Nënshkrimi është bërë të enjten pasdite në shtëpinë e Zekatëve, njërit prej objekteve më karakteristike në qytetin historik të Gjirokastrës, mes ministres së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, Elva Margariti, dhe homologut të saj turk, Mehmet Ersoy.
“Një firmë e rëndësishme për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë”, e ka cilësuar këtë marrëveshje ministrja Margariti.
“Pas bashkëpunimeve të suksesshme në fushën e restaurimit, të tjera projekte të mëdha na presin përpara”, ka bërë me dije Margariti në njoftimin e afishuar në “Facebook” pas nënshkrimit të marrëveshjes në fjalë.
Gjatë qëndrimit në Gjirokastër, ministri turk Ersoy ka vizituar edhe godinën e restauruar të konvikteve studentore në Gjirokastër.
“TIKA ka zbatuar 532 projekte që prej krijimit të Zyrës së Koordinimit”, ka bërë të ditur ministri turk Ersoy në faqen e tij në “Facebook”.
Edhe investimi tjetër në Xhaminë e Plumbit, në Shkodër, nuk kishte kaluar pa kritika në opinion.
Gjatë vizitës në Ankara në fillim të këtij viti, ministrja Margariti kishte nënshkruar një marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Fondacioneve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për, siç ishte thënë, “restaurimin dhe konstruksionin e sistemit të mbrojtjes nga përmbytjet në Xhaminë e Shkodrës”. /atsh/ KultPlus.com