8 Maj, 2019 - 12:45 pm
Pietro dhe Larissa Quaroni, duken të pashëm teksa pozojnë veshur me veshjen karakteristike shqiptare. Shqipëria do ti joshte gjithnjë me kulturën dhe folklorin e saj. Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri ata donin të mësonin gjithcka për këtë vend.
Pasioni i tyre i madh ishte fotografia. Një arkiv i pasur fotosh dëshmojnë një nga periudhat më interesante të vendit. Nga data 14 maj deri më 29 Qershor, në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), në bashkëpunim me Ambasadën Italiane dhe Institutin Italian të Kulturës do të prezantohet koleksioni i arkivit personal fotografik të Pietro dhe Larissa Quaroni-t. Fotografitë janë bërë nga çifti Quaroni gjatë misionit të tyre diplomatik në Ambasadën e Italisë në Shqipëri në periudhën 1928 – 1931 dhe pjesa më e madhe e tyre ekspozohet për herë të parë për publikun.
Në ekspozitë do të shfaqen përreth 85 fotografi të përmasave të ndryshme, të shoqëruara nga dy dokumetarë të të njëjtës periudhë dhe për herë të parë jepet mundësia të shihet në tërësinë e tij arkivi i pasur (mbi 750 fotografi) i digjitalizuar për këtë rast. Vizitorit i jepet mundësia të zbulojë ngjarjet, personat, jetën e përditshme, peizazhet dhe traditat shqiptare, të para e të jetuara nga çifit Quaroni në një kontekst historik dhe social, i cili paraqet shumë interés: pamje befasuese dhe autentike, një vështrim i mirëfilltë dhe jo fort i zakontë, në mënyrë të veçantë mbi figurat politike dhe personazhet që kanë dominuar skenën shqiptare përgjatë viteve ’20 dhe ’30.
Arkivi është ruajtur në Itali nga familja Quaroni dhe është sjellë në Shqipëri nga mbesa e Pietro dhe Larissa Quaroni-t, Cristina Quaroni, e cila, nëntëdhjetë vjet pas gjyshërve të saj, vjen në Shqipëri si bashkëshortja e Ambasadorit të Spanjës. Ekspozita është, pa dyshim, një mënyrë për të nderuar kujtimin e gjyshërve të saj, por në mënyrë të veçantë ka për qëllim të vërë në dispozicion të studiuesve shqiptarë dhe italianë një pasuri me vlerë historike/Shqip./ KultPlus.com