Shqipëria me shpenzimet më të ulëta në Evropë për kulturën

14 Shtator, 2018 - 8:40 pm

Sipas të dhënave të EUROSTAT-it, në vitin 2016 vendet e BE-së shpenzuan mesatarisht një për qind të PBB-së për argëtimin dhe kulturën, ndërsa sipas të dhënave kombëtare të INSTAT-it, Shqipëria shpenzoi vetëm 0.4 për qind të PBB-së për sektorin në fjalë.

Shpenzimet e qeverisë së përgjithshme për rekreacion, kulturë dhe religjion në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2016, ishin të pandryshuara nga viti 2015. Në eurozonë kjo shifër ishte pak më e lartë (1.1 për qind).

Sipas EUROSTAT-it shpenzimet totale për çështjet e argëtimit dhe kulturës në BE shkojnë për objektet kulturore dhe lehtësirat për shërbimet fetare dhe të tjera të komunitetit, si bibliotekat, muzetë, teatrot, shërbimet e transmetimit.

Në vitin 2016, shtetet anëtare me shpenzimet më të larta në të argëtimit dhe kulturës në raport me PBB-në ishin Hungaria (3.3 për qind), Estonia (2.1 për qind), Kroacia dhe Danimarka (1.8 për qind).

Në krahun tjetër Shqipëria me 0.4 për qind, Mbretëria e Bashkuar (0.6 për qind), pasuar nga Greqia, Italia dhe Portugalia (të gjitha 0.8 për qind), ishin vendet me shpenzimet më të ulëta në këtë aspekt.

Struktura e shpenzimeve të kulturës dhe argëtimit u dominua nga shpenzimet për shërbimet kulturore që ishin 0.3 për qind e PBB-së të ndjekura nga shërbimet e transmetimit dhe botimit me 0.2 për qind dhe ato për shërbimet fetare me 0.1 për qind të PBB-së. /Monitor/ KultPlus.com

Të ngjajshme