21 Qershor, 2021 - 1:19 pm
Fshati Pojan në Fier, i përfshirë në programin “100 fshatrat”, në fundjavë është kthyer në qendër të festimeve dhe traditës myzeqare.
“Festa e grurit” mblodhi bashkë me qindra banorë, duke e bërë Pojanin në epiqendër të festimeve dhe një vend atraktiv për vizitorët. Kjo është vetëm një prej ngjarjeve nëpërmjet të cilave shteti shqiptar synon që krahas trashëgimisë materiale ta bëjë atraksion për vizitorë edhe atë shpirtërore.
Me sloganin “Pusho shqip”, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, vlerësoi rëndësinë e “Festës së grurit”, një festë tradicionale e Pojanit të Fierit.
“Vizitorët e Apolonisë shijuan dhe këtë festë që erdhi si ndërthurje e folklorit me demonstrimet e mekanikës bujqësore, me panairet e prodhimeve të grurit, bukës, duke kulmuar me gatimin e festës, të bibës në çerep”, citohet nga mediat shqiptare, Klosi.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cilësoi fantastike atmosferën e krijuar në qytetin antik të Apolonisë.
“Festa e grurit në Myzeqe, një paradë e veshjeve, këngëve e valleve tradicionale, e bukurisë e mikpritjes myzeqare, mblodhi bashkë jo vetëm banorë të zonës, por priti edhe shumë miq, që shijuan për orë të tëra harmoninë mes natyrës dhe trashëgimisë materiale e shpirtërore. Një mesazh i bukur për jetën dhe gëzimin e të qenit së bashku”, ka thënë Margariti në Myzeqe, që ndryshe njihet edhe si “Hambari i Shqipërisë”.
Me qindra njerëz u bënë pjesë e kësaj feste bashkë me dhjetëra fermerë, kultivues gruri dhe prodhues buke.
“Festa e grurit”, me një histori gati 50-vjeçare në Myzeqe, i solli të gjitha si dikur bukën dhe grurin e ri, lëmin e fshatit dhe mekanikën, këngët dhe vallet, bibën në saç dhe dhallin e ftohtë.
“Festa e grurit” është një nga festat më të mëdha që organizon Bashkia e Fierit në kuadër të promovimit të traditës myzeqare. E zhvilluar në muajin qershor të çdo viti dhe e shoqëruar me ritualet festive të krijuara gjatë shekujve, kjo festë vendore përbën tashmë një tjetër vlerë të shtuar të turizmit kulturor. / atsh / KultPlus.com