4 Qershor, 2018 - 5:00 pm
Lushnja mund të shndërrohet në një pikë të ndërmjetme turistike për sa i përket agroturizmit, agropërpunimit dhe ofertave alternative turistike përveç bregdetit.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi vijoi turin e llogaridhënies me publikun në qytetin e Lushnjes.
Kreu i Turizmit dhe Mjedisit tha se për herë të parë këtë sezon turistik, Shqipëria do të ketë më shumë turistë sesa shtretër, ndaj duhet shtuar oferta turistike, duhet rritur shërbimi për të përballuar prurjet e turistëve të huaj. “Nëse nuk kuptojmë që duhet t’i shërbejmë turizmit si industri nuk do të ecim përpara”- u shpreh ministri.
Ministri Klosi theksoi se qëllimi i dikasterit të tij është shndërrimi i Shqipërisë në një destinacion europian turistik dhe gjetja e një ekuilibri midis zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe mbrojtjes së qëndrueshme të Mjedisit. Për këtë janë ndërmarrë shumë masa për të ndryshuar situatën mjedisore. “Në asnjë rast nuk jemi kundër biznesit por në çdo rast jemi në raport të drejtë me interesin e qytetarëve”, theksoi kreu i mjedisit duke iu referuar mbylljes së guroreve me malin e Tomorit dhe Urën Vajgurore.
Në bashkëbisedimin me qytetarët, ministri Klosi kërkoi që për çdo shqetësim qytetarët të shkruajnë në platformën e bashkëqeverisjes./ KultPlus.com