27 Gusht, 2022 - 9:30 am
Për të parën herë që prej krijimit të tij në vitin 2011, ansambli “Shqiponjat e vogla” me qendër në Toronto, Kanada, është ftuar të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Stambollit në Turqi prej datës 27 gusht deri më 1 shtator 2022, me pjesëmarrje e disa shteteve si Bulgaria, Rumania, Kroacia, Turqia, Maqedonia, Serbia dhe Egjipti, të cilët do të ngjiten në skenë për 3 netë rradhazi.
Harman Folkor Festival është krijuar që prej vitit 1987 dhe organizon disa festivale me grupe fëmijesh, të rinjsh dhe të rriturish me një game të larmishme si kërcime folklorike, këngë popullore, banda muzikore, kore, grupe teatrale etj.
Grupi i valleve “Little Eagles” drejtohet nga koreografi i mirënjohur shqiptar në diasporën kanadeze z. Ramazan Këllezi. Ky grup ka marrë pjesë në disa festivalë në Amerikën e Veriut si në New York, Michigan, Florida si edhe një numër të madh aktivitetesh në Toronto, Kanada.
Në organizimin e rradhës në Festivalin Ndërkombëtar të Stambollit, grupit do t’i bashkohen edhe mbretëresha e kërcimit shqiptar, Nderi i Kombit Liljana Cingu si dhe këngëtarja e mirënjohur Zina Zdrava, “Mjeshtër i Madh”, e cila do të interpretojë këngë të trevave të ndryshme të Shqipërisë.
Z. Këllezi që prej vitit 2006 është anëtar i organizatës International Folk Group (I.G.F.), ai është përfaqësues i Shqipërisë në këtë organizatë, dhe në sajë të këmbënguljes së tij u bë e mundur të realizohet ky aktivitet natyrisht edhe me përkrahjen e prindërve të cilët iu bashkuan kësaj iniciative.
Grupi i valleve do të paraqitet në festival me disa krijime të reja si: Mozaik dasme të qytetit të Tiranës, vallja e Peshkopisë, valle me motive të Tropojës, valle me motive Kosovare si dhe vallen e Librazhdit.
E reja që sjell grupi në këtë festival përveç krijimeve të posaçme për festivalin janë edhe pjesëmarrja e 6 djemve që natyrisht krijojnë një larmishmëri dhe marrëdhënie tepër elegante në repertorin e përgatitur./AlbanianMontreal Press/ KultPlus.com