17 Mars, 2018 - 8:01 pm
Në fshatin shqiptar Mandrica të Bullgarisë është krijuar shoqata “Bashkimi për rilindjen e fshatit të Mandricës” (www.mandritsa.com dhe http://www.bukorshtepi.com) kryetar i së cilës është Ivalljo Petrov. Qëllimi i shoqatës është të mbledhë të rinjtë me origjinë nga fshati që të ruajnë gjuhën shqipe dhe traditat e lashta shqiptare. Shoqata ka botuar një doracak bullgarisht-shqip në formën që flitet në Mandricë, si dhe në të ardhmen planifikon të botojë një libër kushtuar historisë së fshatit.
Shqiptarët janë një pakicë, e klasifikuar si grup etnik në Bullgari. Sipas regjistrimit të vitit 2001 ishin vetëm 278, por numri i tyre i vërtetë është shumë më i lartë dhe ka qenë i till; edhe në të kaluarën.
Studiuesi ukrainas Jaranov shkruan se arnautët e Bullgarisë janë të shpërngulur nga Korça, Ohri, Elbasani, Çermenika, Golloborda, diku nga shekulli i XV deri në shekullin e XIX, dhe pastaj janë bartur në Ukrainë. Mes shekullit të XV dhe XVII grupe shqiptarësh nga të dy besimet, si katolikë dhe ortodoksë, u vendosën në disa pjesë të Bullgarisë veriore, dhe një grup në Trakinë jugore. Disa nga ardhësit e parë shqiptarë në Bullgarinë moderne ishin minatorë në Kopilovtsi, një fshat në afërsi të një qendre të madhe minierash.
Shtëpi shqiptare në Arbanasi të Bullgarisë
Kopilovtsi u krijua midis shekullit XV dhe XVII. Një kishë katolike është ndërtuar në fillim të shekullit XVII. Vendasit nga Kopilovtsi kanë qenë me origjinë shqiptare dhe të besimit katolik. Në vitin 1626, kryepeshkopi i Tivarit, Pjetër Mazreku, shprehet se në ato pjesë të Bullgarisë katolike jetojnë shqiptarë. Sipas peshkopit shqiptar, Pjetër Bogdani, Kopilovtsi kishte 1.200 katolikë shqiptarë që në vitin 1640 ende flisnin në gjuhën shqipe.
Në një raport tjetër të vitit 1647 rreshton 1.200 shqiptarë katolikë në Kopilovtsi, por ata kanë nisur të përdorin sllavishten. Në vitin 1658, Pjetër Bogdani shënon se mbi 1.500 shqiptarë në Kopilovtsi flisnin bullgarisht dhe se u kishin mbetur vetëm edhe disa gjurmë të gjuhës së tyre origjine.
Arbanasi
Kopilovtsi, se bashku me Chiprovtsin, u shpopullua në kohën e kryengritjes së Chiprovtsit në vitin 1688. Kryengritja ishte kundër sundimit pothuajse 300-vjeçar osman. Ajo u organizua nga pasardhësit katolikë të minatorëve, si dhe me mbështetjen e popullsisë ortodokse. Kryengritja u shtyp nga ushtria osmane dhe forcat e parregullta dhe më në fund lanë Chiprovtsin të djegur.
Një pjesë e popullsisë shpëtoi dhe u vendos në Banat, atëherë tokë austriake. Një nga organizatorët e kësaj kryengritjeje ishte peshkopi Pjetër Bogdani. Në një letër për princin e Transilvanisë, në vitin 1595, tregtari ragusian Pavel Djordjic vëren se në Bullgari ka shumë fshatra të banuara me shqiptarë, nga ku mund të mblidhen 7000 burra trima të trajnuar mirë. Në të njëjtën letër Djordjic përmend se 1500 prej atyre shqiptarëve jetonin në afërsi të Tërnovës.
230 kilometra larg Sofjes, fshati Arbanas ngrihet në një lartësi zotëruese sipër kodrës kështjellë të kryeqytetit historik bullgar Veliko Tarnovo. Themeluesit e parë kanë qenë afër 200 shqiptarë që ishin sjellë gjatë kohës së fushatës së Bajazitit të II-it në Shqipëri. Më vonë pasardhësit u helenizuan dhe u bullgarizuan nëpër shekuj.
Hyrja e fshatit Mandrica
Arbanasi është ndërtuar nga mjeshtër shqiptarë që, përveç emrit, i dhanë edhe rrugët me kalldrëm, stilin arkitektonik të bujtinave karakteristike, ku ndërthuret guri i latuar dhe druri i gdhendur – ndërtesa që u ngjajnë fortifikatave të vërteta dhe që tani shërbejnë si muze.
Oborret e tyre të blerta, të mbushura me pemë, kishat me ikona e piktura murale dhe manastiret e shenjta, janë mjedise plot me vizitorë e besimtarë. Arbanasi ishte i populluar (ose i ripopulluar) në vitet e vona të shekullit të XV, si fshat autonom nga ana administrative e Perandorisë Osmane tërhoqi shumë të ardhur. Arbanasi është vendbanimi më piktoresk i Bullgarisë.
Vende të tjera në veri të Bullgarisë, ku prezenca shqiptare ka qënë fort e ndjeshme janë Chervena Voda afër Rousse, Poroishte afër Razgradit, Dobrina afër Provadias dhe Devnya afër Varnas.
Shqiptarët, në kryeqytetin Sofje të Bullgarisë, kanë qenë të regjistruar që në fillim të shekullit të XVII. Koloni të tjera të mundshme janë në jug te Malët e Ballkanit, përfshirë edhe pyetësorin Gorno Arbanasi dhe Dollno Arbanasi afër Asenovgradit.
***
Toponimi iliro-trakas i Mandricës, sipas Çabejt, është prej fjalëve shqipe: mana (peme e egër) dhe drize (ferre) – manaferre – e barasvlershme me Manadrica. Gjuha e përdorur prej tyre është shumë arkaike. Studime shkencore mbi të ka bërë doktor Bojka Sokolova. Më shumë hollësi për gjuhën mund të lexoni në librin e saj kushtuar dialektit shqiptar të Mandricës.
Banorët e sotëm të fshatit përbëjnë brezin e fundit që e flet këtë dialekt. E konsiderojnë veten si shqiptarë, por shumica prej tyre nuk kanë vajtur kurrë në Shqipëri e as në Kosovës.
BURIMI: https://albaniandream.wordpress.com/2014/04/23/shqiptaret-e-bullgarise-dhe-fshati-shqiptar-mandrica/