Shqiptarët, populli që diskriminon të varfrit më shumë se çdo popull tjetër evropian

28 Nëntor, 2018 - 10:06 am

Të jesh pa të ardhura apo pa një punë në Shqipëri ke më shumë mundësi të ndihesh i diskriminuar se në çdo vend tjetër të Evropës. Paradoksalisht, një ndër shtetet me të ardhurat për frymë më të ulëta në Evropë (përveç, Kosovës, Ukrainës e Moldavisë) i shikon me përçmim personat e varfër.

Një sondazh i Komisionit Evropian lidhur me mbështetjen dhe përjashtimin social, ka nxjerrë në pah këtë tendencë.

Të anketuarit nga vendet e BE-së dhe atyre kandidate, në kuadër të një sondazhi për cilësinë e jetës janë pyetur nëse binin dakord apo jo me pohimin: “Disa njerëz më shohin me përçmim për shkak të situatës me punën ose të ardhurat”.

Befasuese është përgjigjja e të anketuarve nga shteti më i varfër i Evropës. 33% e shqiptarëve janë përgjigjur se ata bien dakord me këtë pohim, përqindje që është shumë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Evropiane prej 14% dhe po ashtu, edhe në krahasim me vendet e tjera të rajonit, raporton Monitor.al.

Vetëm 11% e malazezëve pohojnë se ata shihen me përçmim për shkak të situatës me punën dhe të ardhurat, 18% e turqve, 19% e serbëve dhe 20% e maqedonasve.

Pas Shqipërisë renditet Rumania (27%), ndërsa shtetet që e kanë më të ulët përçmimin ndaj të varfërve janë Suedia, Spanja dhe Sllovakia, me vetëm 8%.

Ata që ndihen më shumë të diskriminuar janë meshkujt, me 36% të tyre që kanë rënë dakord me pyetjen, në raport me 30% të femrave shqiptare.

Adoleshentët shqiptarë nuk e vrasin shumë mendjen, teksa 19% e grupmoshës nga 18-24 vjeç binin dakord me pohimin në fjalë. Ata që e vuajnë më shumë janë të rinjtë e moshës nga 25-34 vjeç, kur dhe pritshmëritë ndaj tyre janë më të larta. 38% e tyre u përgjigjën se shihen me përçmim për shkak të situatës me punën apo të ardhurat.

Ndërsa rekordin e mban grupmosha 35-49 vjeç, ku dakord me pohimin ranë 43% e të anketuarve, shumë më e lartë sesa mesatarja evropiane prej 15%.

Të varfrit e ndiejnë më shumë, me 44% të grupit I (ku kategorizohen ata me të ardhura më të ulëta) që pohojnë se shihen shtrembër pasi nuk kanë një punë të mirë apo shumë të ardhura.

Të dhëna të tjera të Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se dy shtetet shqipfolëse, Shqipëria dhe Kosova, renditen të fundit në Evropë (pa përfshirë vendet e ish-Bashkimit Sovjetik) për të ardhurat për frymë.

Për vitin 2018, Shqipëria vlerësohet të ketë të ardhura për frymë prej 5261 dollarësh, në vend të 102 nga 191 shtete, duke u përmirësuar me katër vende në raport me 2017-n, kur ishte në pozicionin e 106. Kosova, me të ardhura për frymë prej 4,324 dollarësh, renditet e 112-a.

Të ngjajshme