Shtëpia e Flamurit në Korçë hapet nesër, takohen dy Qeveritë: Rama e Haradinaj

26 Nëntor, 2017 - 10:31 pm

Shtëpia e Flamurit në Korçë është gati për tu hapur ditën e nesërme. Madje ajo do të promovohet së pari nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Shqipëri-Kosovë. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ka postuar këto foto të transformimit pas djegies e rrënimit shkruan se Ministria e Kulturës të cilën ajo po e drejton edhe në këtë mandat të dytë, e mbajti premtimin dhe e ndërtoi.

“Në 2013, premtuam që do e rindërtojmë, sepse është një ndërtesë shumë e rëndësishme historie për Korçën dhe për Shqipërinë, për Kombin dhe për Kulturën. Ministria e Kulturës e mbajti premtimin, e ndërtoi! Sonte ajo është gati, për të hapur dyert për të parën herë nesër, për qeverisjen e përbashkët Shqipëri-Kosovë dhe më pas për t’u kthyer në një qendër kulture e për kulturën”,- shkruan ministrja Kumbaro.
Kumbaro nuk lë pa përmendur edhe kalvarin e gjatë të shkatërrimeve e lënies në harresë nga shteti deri në vitin 2013, ku siç shkruan ministrja e Kulturës “hetimi nuk bëhej kurrë për “mungesë provash”./KultPlus.com

Të ngjajshme