Shtëpia e kulturës shqiptare në Paris, Gonxhja: Vëmendje të veçantë për promovimin e identitetit

14 Prill, 2024 - 11:30 am

Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja pati takime gjatë vizitës që zhvilloi në Francë si pjesë e delegacionit të kryeministrit Rama, në shtëpinë La Maison de l’Albanie, shtëpinë e kulturës shqiptare në kryeqytetin e Francës, Paris.

Gonxhja tha se ishte i pari ministër që mbulon Kulturën, që kjo shtëpizë priti.

La Maison de l’Albanie shërben si qendër për shqiptarët që banojnë në Francë, duke nxitur lidhjet dhe duke promovuar identitetin tonë të përbashkët kulturor, historinë dhe traditat e pasura të Shqipërisë.

Një ambient në dukje i vogël, por një vatër e vërtetë atdhetarie, ku janë zhvilluar mbi 200 aktivitete e ngjarje kulturore në 12 vite veprimtari, që nga çelja.

Gonxhja falënderoi në veçanti Luan Ramën dhe Anila Hyka Smorgrav, që flasin kaq bukur për misionin vullnetar të qendrës dhe diasporën tonë në Francë, sikurse falënderoi Zamir Matin dhe Gjergj Themelin për dedikimin e tyre të palodhur që ilustrohet në muret e tejmbushura me posterat e iniciativave ndër vite, si dhe për idetë dhe projektet e reja, gjithëpërfshirëse, që synohen, që premtojnë të lartësojnë diversitetin e kulturës shqiptare në Francë.

“Traditat dhe kultura jonë shumëdimensionale, janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë”, u shpreh Gonxhja.

“Si MEKI – Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, do të kemi një vëmendje të shtuar ndaj këtyre qendrave, për një përkrahje të plotë nëpërmjet strukturave tona diplomatike dhe ato kulturore, për të sjellë kudo një pjesë Shqipërie nëpërmjet mbështetjes për aktiviteteve të ndryshme kulturore, por edhe për të lidhur diasporat tona jashtë me Atdheun, në çdo aspekt e kontribut. Rëndësia e mbajtjes gjallë të zemrës e të shpirtit shqiptar, kudo ku ndodhemi nëpër botë, është strategjike për shtetin dhe kombin tonë”, garantoi Gonxhja.

“La Maison de l’Albanie – ku shpirti i Shqipërisë takohet me sharmin e Francës, në epiqendër të qytetërimit Evropian, ku çdo ditë e më shumë rritet edhe interesi i grupeve të moshave të reja, dhe ku së bashku me Kosovën duhet ta shndërrojmë në Shtëpinë e gjithë Shqiptarëve”, përfundoi Gonxhja. / KultPlus.com

Të ngjajshme