21 Janar, 2019 - 10:35 pm
Pas më shumë se 100 vjetësh shtëpia e patriotes Marigo Posio, e cila qëndisi shqiponjën në flamurin që u ngrit në Vlorë nga Ismail Qemali dhe bashkë me të edhe krejt qendra historike e Vlorës po vijon restaurimin për t’u shndërruar në një destinacion të vizitueshëm në çdo stinë të vitit.
Ky projekti i rëndësishëm synon t’i kthejë këtij qyteti shkëlqimin e dikurshëm. Ai po bëhet i mundur falë qeverisë shqiptare dhe bashkëpunimit teknik dhe financiar me Fondacionin Shqiptar për Zhvillim, sipas të njëjtit model me të cilin është punuar për rijetëzimin e Pazarit të Korçës, të Krujës dhe Gjirokastrës.
Projekti për restaurimin e qendrës historike të qytetit bregdetar është në funksion të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë, por edhe për t’i dhënë një impuls të ri të ekonomisë së qytetit në funksion të zhvillimit të turizmit.
Qershori i këtij viti është koha, kur veç banorëve të Vlorës, këto ndryshime t’i shijojnë edhe turistët.
Projekti përfshin restaurimin e 68 banesave, mes të cilave përveç Shtëpisë së Marigosë edhe Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë.
Shtëpia ku ka jetuar Marigoja mban të gdhendur vitin 1892, por ajo u vendos pak më vonë aty. Në lagjen ku jetoi dhe jo vetëm, Marigo Posio njihej ndryshe edhe si Shqiponja. Dhe jo rastësisht, duart e saj kishin qëndisur me qindra të tilla.
Madje e treguar gojë më gojë, historia thotë se kur Marigoja u vendos në Vlorë, në shtëpinë e ngritur në rrugën “Justin Godard” bashkë me familjen, prej sëndukut të pajës nxori një flamur të qëndisur me dorën e saj, të mbuluar me gazeta të ngjitura me kujdes me brumë që të mos diktohej në rast kontrolli.
Gazeta “Arbëria”, që botohej në Gjirokastër, në kohën e saj shkruan: “Flamurin Kombëtar, që u ngrit për herë të parë në Vlorë nga dora e Ismail Qemalit, është hartuar nga duart e Marigo Posio, mbi copën e blerë tek tregtari Diamant. Qëndisja është bërë sipas modelit të shqipes, që kishin vizatuar patriotët Don Mark Vasa dhe Petro Fotografi. Këtë fakt e dinin edhe shumë patriotë të tjerë. Me të hollat e saj, ajo punoi edhe 500 flamuj për t’i vendosur në zyrat e shtetit të ri shqiptar.