2 Maj, 2020 - 7:36 pm
Nga Pjeter Logoreci
Para pak kohe, duke shkelë për një vizitë, në prakun e shtëpisë – muze të atdhetarit shkodran Pashko Vasa, mu kujtuan fjalët që më thoshte frati françeskan, atdhetari Ambroz Martini, gjatë takimeve të këndëshme herë pas heret tek ai.
„Gropa e Shkodres ka pas nxjerrë burra që mateshin me bjeshkët, …. e fillonte me përmendë një varg të gjatë atdhetarësh që ja kushtuan apo e flijuan jetën për atdheun dhe lirinë e tij… Njerëz të thjeshtë, trima malsie, intelektual të shkolluar në perëndim e që u kthyen në atdhe për të dhënë kontributin e tyre,…. zyrtarë me origjinë shqiptare që punuan në administratat e vendeve të ndryshme, por që nuk e harruan kurrë vendin… e rreshti vazhdonte gjatë me emra trimash e personalitetesh të njohur të cilëve ne i detyrohemi për lirinë e trojeve tona. Ndër to rreshtohej emri i Pashko Vasës, burrit i cili dha ndihmesë të madhe, në shumë drejtime në të mire të atdheut.
“O moj Shqypni, e mjera Shqypni, kush të ka qitë me krye n’hi?? ….nuk ka vajzë e as djalë shqiptarit, që nuk i ka shqiptue ose ndigjue nji herë këto vargje kushtrimi, që nuk i ka dhëmbur shpirti nga kjo ofshamë e dala nga gjoksi i njeriut që digjet për atdhe. E jo vetëm këto vargje, por edhe aktiviteti diplomatik, artistik e patriotik, e rritën ndër vite figurën shumëdimensionale të Pashko Vasës.
Pak mbi familjen e Pashko Vasës.
Lindi me 17 shtator 1825, nga prindët Roza dhe Hile Vasa. Pat edhe një vëlla, Nikollën dhe një motër që quhej Gonxhe. Bir i një familje me tradita qytetare e kulturë të gjërë, që zotëronte emër të mirë dhe pasuri në qytetin e Shkodres, Pashko-ja mësimet fillestare i mori në Shkodër, e qysh i ri, i prekur nga problemet e mprehta sociale të kohës si dhe gjendja e mjerë e atdheut, ai fillon të reagoje duke shkruar në disa gjuhë.
Pashko, fliste dhe shkruante në frengjisht, italisht, greqisht, turqisht, arabisht, serbisht dhe anglisht. U martua në vjentin 1855 me një grua shkodrane të cilës nuk i dihet emri (sipas Vehbi Balës), me të cilën pat Rozën, Linden, Marien, një djalë të quajtur Lerish dhe Silven. Si gruaja Roza ashtu edhe 4 nga fëmijët, vdiqën të rinj. Pashko u martua për së dyti me Katerina Bonatin (të cilën meqenëse ishte ortodokse e quanin “grekja”) e cila po ashtu vdiq shpejt nga tuberkulozi. E bija e Pashkos, Roza, u martua me një shtetas turk me origjinë armene të njohur si KUPELIAN dhe pat dy vajza Silven dhe Mariken.
Për herën e tretë, Pashko u martua me Berta Lerish, një grua franceze që e kish njohur në Stamboll, me të cilën pat dy djem Mikelin dhe Leonin. Djali i madh Mikeli vdiq i pamartuar në 1914-tën, ndërsa Leoni i cili pat lindë në Beirut, vdiq rreth viteve 30-të, duke lenë një vajzë që jetoj deri vonë në Francë.
Me 18 qeshor 1883, Pashko Vasa emrohet guvernator i Libanit. Vitet e fundit të jetës , ai ka vuajtur nga sëmundja e zemrës, por thuhet që vdiq nga gripi me 29 qeshor 1892. U përcoll në varrezën e fundit në Liban, nga miqtë e tij Filip Shiroka dhe Ismail Qemali. Eshtrat e tij dhe të gruas së tij, Katerinës, u sollën në Shqipëri nga Libani në vitin 1978 dhe janë të vëndosura në varrezat e deshmorve në Shkoder.
Shtëpia e Pashko Vasës, degë e Lidhjes së Prizrenit
Objekti kryesor që ka mbetur dhe që aktualisht na lidh me figurën e atdhetarit Pashko Vasa, është shtëpia e tij në Shkoder që ishte baza kryesore e Lidhjes së Prizrenit, sot Monument Kulture. Kjo shtëpi, që sot është e vendosur si objekt në hartën turistike të Shkodres, ka një histori të lavdishme, pasi jo vetëm ishte degë e Lidhjes së Prizrenit, vendi ku mbaheshin takimet e aktivistëve për çeshtjen kombëtare, por falë vlerave arkitekturore dhe etnografike, është pikë e preferuar e të huajve që vizitojnë vendin tonë.
Sipas dëshmive të njërzve që kanë jetuar aty, kjo shtëpi ka një histori rreth 300 vjeçare. Ajo është rinovuar e restauruar tërësisht në vitin 1977 si dhe në vitin 2013, nga shteti shqiptar. Të gjitha dyert, dyshemetë, dritaret, tavanet e çardaku, janë punuar nga restaurator profesionist sipas origjinalit, në dru. Sot është një shtëpi e kategorisë së parë dhe i është kthyer si pronë private trashëgimtarve të familjes Vasa, qysh në vitin 1971. Shtëpinë e rrethojnë muret e larta karakteristike të Shkodres dhe në oborrin e saj qëndrojnë në origjinal, pusi i gurtë, lugu prej guri i larjes së rrobave, govata prej guri e shpërlarjes së rrobave dhe shkalla prej guri të latuar.
Sipas thënieve që mblodha nga disa pjestar të familjeve shkodrane që jetojnë në afërsi të degës së Lidhjes së Prizrenit, po në shtëpi karakteristike shkodrane, si familjet Suma, Kamsi, Gjonej, Kraja, Guga, Shiroka, thuhet që edhe kjo shtëpi duhet të jetë ndërtuar në atë periudhë. Kjo mund të dallohet nga karakteristikat e njëjta me shtëpitë e tjera shkodrane që gjinden në të njëjtën zonë, që kanë pothuajse të njëjtën arqitekturë, fasada, strukturën e mbrendëshme e po ashtu edhe oborret. Pjesa mbrendëshme e shtëpisë është e ndarë ndër dhoma të mëdha, të cilat kanë tavane të gdhendur në dru, të një bukurie të veçantë, ballkone për qëndrimin e grave, apo raftet e futura në mur. Dhoma e ndejës ose në gjuhën popullore “oda e zjermit”, që komunikon me dhomat e tjera me anë të koridoreve të vogla të veshur në dru të gdhendur, ka dritare të mëdha druri të mbrojtura me hekura, që e mbushin me dritë dhe hapin një pamje të mrekullueshme të oborrit të stolisur me luleborën e lulevilen tradicjonale të Shkodres.
Një çardak i madh hapet në mbarim të shkallëve të gurta, ku zotërojnë “qoshja e ndejës” dhe kandilat e shandanat karakteristik të tipit oriental. Poshtë pjesës së banuar, janë ahuret ku mbaheshin objektet e përdorimit të radhë, drutë e ngrohjes si dhe veglat për të punuar kopshtin dhe oborrin. Përpara shtëpisë është oborri me lule dhe lojrat e fëmijëve, ndërsa prapa kopshti i zarzavateve dhe pemëve frutore.
Përsëri sot, shtëpia është një pikë turistike që preferohet nga turistë nga e gjithë bota, jo vetëm për arkitekturen e veçantë, por edhe për të fjetur, pasi familja Vasa, në disa dhoma të shtëpisë, ka plotësuar kushtet normale të jetesës ku mund të flihet komod e me kujtimet e kohëve të shkuara. Shpresoj dhe uroj që bukurisë së fasadave dhe arkitekturës karakteristike të shtëpive të vjetra shkodrane, ti shtohet edhe shtëpia ku lindi dhe u rrit heroi kombëtar Luigj Gurakuqi, e cila nga moskujdesija e shtetit u rrënua. Kjo është dëshira e çdo shqiptari atdhetar dhe e çdo qytetari shkodran, pasi është identiteti ynë./KultPlus.com