20 Mars, 2018 - 7:12 pm
Në hyrje të fshatit Frashër pozicionohet banesa madhështore e vëllezërve Frashëri. Në vitin 1974, mbi rrënojat e banesës së vjetër të shkatërruar është ringritur “Banesa e Vëllezërve Frashëri”, monument kulture i kategorisë I-rë, duke u përshtatur si shtëpi-muze.
Shtëpia-muze u rikonceptua si një përmbledhje e historikut të zonës, e veprimtarisë së tre rilindasve dhe është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kombëtare. Me ringritjen e saj është bërë përpjekje për ruajtjen e origjinalitetit të volumit fillestar, duke shtuar elemente të rinj si ndërkate e tavane druri dhe oxhakët nëpër dhoma. Disa nga dhomat e kësaj shtëpie-muze pasqyrojnë mënyrën e jetesës së kohës, duke mbledhur orendi të vjetra edhe nga banorët e zonës. Interesi për këtë banesë duket se është jo i pakët, për vetë rëndësinë dhe historinë që ajo ka. Shtëpia-muze gëzon në fondin e saj libra e dorëshkrime të vëllezërve Frashëri, ku mund të veçojmë disa botime origjinale të Sami Frashërit.
Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës ishin në Frashër për të kryer një inspektim në këtë banesë. Sot, objekti shfaq nevojën për ndërhyrje restauruese në strukturë, sepse paraqet disa problematika në konstruksionin e çatisë si dhe janë evidentuar çarje në muraturën perimetrale. Është i nevojshëm restaurimi i elementëve arkitektonikë të brendshëm si: ndërkatet e drurit, shkallët, dyert dhe dritaret.
Gjithashtu, terreni përreth banesës, brenda rrethimit, duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjeve rehabilituese të përgjithshme. Në shumë nga dhomat e ekspozimit ruhen ekpozitorët dhe stendat e projektuara gjatë kohës kur banesa u rikonceptua si shtëpi-muze. Mobilimi duhet t’i nënshtrohet një procesi restaurimi së bashku me maketin e fshatit Frashër që ndodhet në një nga dhomat e katit përdhe.