Shtëpitë e Adem Demaçit, nën mbrojtje ligjore

11 Tetor, 2018 - 12:30 pm

“Shtëpia e lindjes së Adem Demaçit” dhe “Shtëpia e Adem Demaçit” tashmë janë pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Nga e mërkura këto dy objekte janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Ky veprim i Ministrisë së Kulturës është bërë në kuadër të zgjatjes së afatit edhe për një vit sa i përket mbrojtjes ligjore të monumenteve.

Shtëpitë janë marrë nën mbrojtje dy muaj e gjysmë pas vdekjes së shkrimtarit, disidentit e fituesit të çmimit “Sakharov”. Demaçi i lindur më 26 shkurt 1936 ka vdekur më 26 korrik të këtij viti.

Për shkak të bindjeve të tija politike, ai kishte qëndruar në burgjet jugosllave për 28 vjet duke iu nënshtruar tri gjykimeve. Ky veprim i Ministrisë së Kulturës vjen pasi Qeveria e Kosovës në vitin 2008 i kishte dhënë Demaçit statusin e qytetarit me merita të veçanta./ KultPlus.com

Të ngjajshme