27 Qershor, 2018 - 10:09 pm
Gjestin e dy futbollistëve shqiptarë po e bëjnë të gjithë ata që i mbështesin, përfshirë edhe figura publike.
Është ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, i cili me duart shqiponjë ka nxitur reagimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Pas publikimit të kësaj fotoje, Vuciq tha se “kroatët dhe shqiptarët na urrejnë. Veprimet e tyre flasin për ta e jo për ne. Ne duhet të shohim se si të shkojmë përpara, të zhvillohemi. Urrejtja vret atë që urren, jo atë që është objekt i urrejtjes,” i është kundërpërgjigjur Vuçiq ish-presidentit kroat.
Kësaj iniciative i është bashkuar edhe mbështetësi i madh i shqiptarëve kongresmeni amerikan Eliot Engel. Pas marrjes se mandatit në Kongres, Engel ka pozuar me duart mbi gjoks, duke imituar simbolin e shqiponjës.
E ndonëse një ditë më parë nuk deshi të komentojë shumë lidhur me dënimin që FIFA ua dha dy futbollistëve shqiptarë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shihet në një foto me stafin e tij, duke mbështetur djemtë shqiptarë të kombëtares zvicerane të dënuar nga FIFA, raporton KTV.
Mediat zvicerane kanë vazhduar të shkruajnë vazhdimisht për shqiponjat e kombëtares së tyre, derisa e djathta zvicerane nuk ka ndalur sulmet, duke thënë se kjo është mbështetje për Shqipërinë e jo për Zvicrën. E në gjithë këtë debat është përfshirë edhe birra e Luzernit, e cila ka publikuar një foto montazh se si do të dukej ambalazhi me simbolin, i cili ngjall shumë reagime. Por pronari i birrarisë ka thënë se është vetëm montazh, derisa nuk ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të krijohet një ambalazh i tillë.