11 Qershor, 2018 - 9:37 pm
Shqipëria ka famën se është vendi i “Atletit të Krishtërimit”, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, por në arkivat e saj nuk ka asnjë relike origjinale të tij. Përkrenarja dhe armët ndodhen në Vjenë, një vulë që mendohet se është e tij, gjendet në Danimarkë, ndërsa në Krujë dhe në Tiranë pak gjëra, më shumë imitime. Por cila është historia e relikeve të Heroit Kombëtar, si përfunduan ato në Vjenë gati 300 vjet më parë. Një histori që zgjatet prej pesë shekujsh dhe që debatet për të nuk mungojnë edhe sot. Historinë e rrugëtimit të relikeve e ka zbuluar 72 vjet më parë, Leo Alexander Freundilich, një austriak i apasionuar pas historisë së Shqipërisë. Por më shumë se relike tashmë ato janë pjesë e identitetit kombëtar. Përkrenarja me kokën e dhisë që mbante Skënderbeu është një simbol i huazuar nga legjendat e Pirros së Epirit dhe Aleksandërit të Madh. Ajo është me metal të bardhë dhe me një rrip (ruban) të larë me ar. Ndërsa sipas historianëve Skënderbeu ka përdorur dy shpata. E para i është dhuruar nga Papa në Krishtlindjet e vitit 1466 dhe është me trup të drejtë, e gjatë 85.5 centimetra dhe e gjerë 5.7, peshon 1.3 kg. E dyta është model turk, është 121 cm dhe peshon 3.2 kg. Kjo e fundit gjendet së bashku me përkrenaren në muzeun e Historisë në Vjenë.
Historia e armëve sipas Leo Alexander Freundlich
Historinë se si armët përfunduan në Vjenë e jep konsulli i Shqipërisë në Austri gjatë Mbretërisë së Zogut, Leo Alexander Rfeundlich. Në Arkivin e Shtetit në dosjen e Skënderbeut gjendet një shkrim ku tregohet historia e udhëtimit të tij. Artikulli i Freundlish, një njeri i pasionuar pas historisë së Shqipërisë, përdor rrëfimin e drejtorit të mbledhjeve të Muzeut Historik të Vjenës për të treguar të vërtetën e armëve të Skënderbeut. Sipas tij, për herë të parë këto objekte janë përmendur në vitin 1578. Më 15 tetor të këtij viti, Mario Sforza, duka i Urbinos, i shkruan një letër arqidukës Ferdinand, ku i thotë se do t’i dërgojë atij armët e Skënderbeut, dhe të vëllait të tij. Ky është një fakt që dëshmon se mes arqidukës dhe Mario Sforzas janë këmbyer shumë letra. Më 15 maj 1579 arqiduka i Tirolit i shkruante dukës së Urbinos, Maroi Sforza, dhe e falënderon për armët e Skënderbeut dhe për të tjerat që do t’i binin në dorë. Ndërsa për herë të dytë këto armë përmenden në një letër të dukës Von Arescot, e shkruar me 25 korrik 1588, ku flitet për armët e tjera të Skënderbeut. Në inventarin e vitit 1585 këto objekte nuk ishin të shënuara ende. Ndërsa në inventarin e vitit 1593 shënohet: “Në fletën 69, dy shpata dhe elmi i Gjergj Skënderbeut”. Prej këtyre shkresave dhe inventarit mund të konstatohet lehtë se elmi dhe dy shpatat e Skënderbeut kanë rënë në dorë të arqidukës Ferdinand midis vitit 1588-1593 nëpërmjet dukës Mario Sforza të Urbinos dhe të dukës Arescot. Ekzaktësisht në inventarin e vitit 1596, faqe 321, janë përmendur dhe shënuar elmi nr. 71 (127) dhe dy shpatat nr.92 (145) dhe 345 (550). Aty shënohet: “George Skanderbeg: një elm i bardhë me rrafshe të arta sipër një kokë dhie e artë me dy brirë, dhe dy shpata, njëra me një dorezë prej lëkure, e cila nga pesha e rëndë dhe prej shenjave të gjakut që duken ende, ngjan më e madhërishme, ndërsa tjetra është me një dorezë kadife ku është shënuar emri i Skënderbeut. Në inventarin e pikturave të sekretarit privat Schrewnchk të titulluar “Armamentarium heroicum” të vitit 1601, ne shohim në tablonë 16, Skënderbeun me elmin nr.71 (127) dhe me shpatën nr.345 (550), ku shkruhet: Në një kornizë me ornamente të shumta rrinë në këmbë Skënderbeu i veshur me një pallto të gjatë me astar lëkure e mbërthyer në gjoks me shirita, me kokën dhe mjekrën e gjatë kthyer nga krahu i majtë, ku i duket profili.
Në krahun e djathtë ai mban lart shpatën e zhveshur nr. 345 (550) dhe poshtë në tokë afër këmbës së majtë qëndron elmi nr. 71 (127). Në kokë mban një beretë. Objektet që janë pikturuar në fotografi i ngjajnë shumë atyre në origjinal që ndodhen në muzeun e Artit Historik të Vjenës. Shihet qartë që këto dy objekte njiheshin që në vitin 1601 si sendet e Skënderbeut. Ja një përshkrim i imët mbi dy shpatat e mbi përkrenaren: Në sallën XXV Nr.71/127 ndodhet një përkrenare e shtrirë në një piedestal të ulët, e cila duhet të jetë prerë si mbas stilit italian. Në majë të përkrenares janë vendosur kryet dhisë, por asht fiksue mirë. Përkrenarja përbëhet prej dy pjesëve, një pjesë prej bakri dhe pjesa tjetër sipër me një copë metali buzët e secilës janë zbukuruar me ar. Syve të dhisë u mungojnë gurët. Akoma duket vendi bosh, i cili të jep të kuptosh se brenda kanë qenë vendosur gurë. Në mesin e përkrenares është vendosur një rreth prej bakri. Në këtë rreth janë shkruar këto shkronja: I.N.P.E.RA.TO.RE.BT. Ky shkrim është shumë i vështirë për t’u kuptuar çfarë thotë. Deri më tani e kanë deshifruar si: “Jesus Nazarenus Principi Emathiae Regi Albaniae Terrori Osmanoru Regi Eperi Benedicat”. Pesha e përkrenares është 3000gr.
Kjo përkrenare është një “unikum”, i vetmi e i veçantë që gjendet në muzeun dhe i përket artit të punimit të metalit në stilin gotik të vonshëm. Përpara së gjithave kjo përkrenare në pikëpamjen estetike është një vepër e mrekullueshme dhe i ka hije vetëm një burri të fuqishëm të fortë e me vullnet të hekurt.
Shpata që ndodhet në sallën XXVII, rafti V.Nr.345(550) është e gjatë 88.5 cm e gjerë 57 cm, me dy tehe dhe me një formë të drejtë dhe në një vend të kthyer përmban disa shkronja latine. Prej këtyre shkronjave lexohen këto fjalë: “Heroi i perëndisë, Iskander Beg”. Doreza është e përbërë prej druri të mbështjellë me lëkurë, pesha e kësaj shpate asht 1300 gr. Shpata me dorezë është e veshur me lëkurë shagreni, ka nga anët e jashtme 4 arabeska të thella, tre rripa për hijeshim. Anët e jashtme përshkohen prej fildishi dhe në anët e brendshme shohim disa germa të kuqe, të cilat janë shkruar më shekullin e XVI e që përmbajnë emrin “Scënderbeg”. Pesha është 600gr dhe pesha e përgjithshme 1900 gr. Kjo shpatë është e shënuar dhe pikturuar në librin e sekretarit privat të arqidukës së Tirolit, Jakob Schrenckh, “Armametarium heroicum”, në faqet XVI.
Përveç këtyre në sallën e armëve historike të muzeut të Vjenës gjendet dhe një tjetër, e cila quhet si një nga shpatat e Gjergj Kastriotit dhe është shënuar në inventarin mbajtur në vitin 1593. Kjo shpatë të jep të besosh nga pesha e rëndë dhe nga gjatësia se Kastrioti me një të goditur i ndante në dy pjesë trupat e armiqve. Kjo shpatë gjendet në sallonin XXV, rafti II Nr.92(143), gjatësia e saj 121 cm dhe doreza është e zbukuruar me ar dhe me lëkurë. Pesha e saj është 3.2 kg.
Armët e Skënderbeut më 20 nëntor në Shqipëri
Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut do të mbërrijnë në Shqipëri më 20 nëntor. Këtë e bën me dije për tv ‘abc news’ drejtori i muzeut historik Luan Malltezi. Kështu është rënë dakord sipas Malltezit pas konsultimeve të bëra një ditë më parë mes specialistëve të muzeut mesjetar të Austrisë dhe specialistëve të palës shqiptare. Reliket e çmuara do të ekspozohen më 27 nëntor në një ekspozitë unike dhe më të rëndësishmet thotë Malltezi. Armët e Skënderbeut do të ekspozohen në pavionin e mesjetës për një muaj e gjysëm ato do të ekspozohen në kushte të plota të sigurisë, pasi Muzeu është i pajisur me sistem të plotë sigurie. Kostoja e sjelljes së tyre për herë të parë në Shqipëri është 100 mijë dollarë, ndërsa ardhja e tyre në vendin tonë u mundësua nga qeveria shqiptare në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë.
Topalli falënderon Parlamentin e Austrisë për sjelljen në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës të Skënderbeut
Kryetarja e Kuvendit ishte e ftuar e posaçme në ceremoninë zyrtare të çeljes së Ditëve “Shqipëria 100 vite Pavarësi; Marrëdhëniet shqiptaro- austriake.” Në këtë ceremoni ishte i pranishëm zoti Erhard Busek, ish zëvendëskryeministër i Austrisë si dhe deputetë, ambasadorë dhe personalitete nga fusha të ndryshme. Duke shprehur kënaqësinë e veçantë që ky aktivitet zhvillohet në përvjetorin e 100 të Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e pazëvendësueshëm që Austria ka dhënë në shpalljen e pavarësisë dhe ngritjen e shtetit shqiptar. Në këtë ceremoni Kryetarja e Kuvendit solli në vëmendje figurat e ndritura të Albanologjisë, personalitetet austriake si Norbert Nohel, Johan George, etj, të cilët ndërtuan një imazh krenarie për shqiptarët, vlerat dhe traditat e tyre historike, aspak të njohura në atë kohë për Evropën. Kryetarja e Kuvendit falenderoi Parlamenti Austriak dhe Kryetaren e tij Barbara Prammer për miratimin që ata dhanë për sjelljen në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skëndërbeu, të cilat ndodhen në Muzeumin e Vienës. “Dua të falënderoj qeverinë, Parlamentin, popullin austriak për mbështetjen e vazhdueshme historike që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë kësaj periudhe dhe ta festojmë këtë sukses të madh, këtë miqësi të madhe që ne kemi në këtë 100 Vjetor të Pavarësisë sonë, që është ditëlindja jonë më e shenjtë, më e dashur dhe më e bukur”, tha Kryetarja e Kuvendit.
Historia e vulës së Heroit Kombëtar në Danimarkë
Në vitin 2003 studiuesi danez Peter Pentz pretendoi se zbuloi vulën origjinale të Skënderbeut. Me një histori si ajo e armëve, vula kishte përfunduar në muzeun historik danez. Por pas mbërritjes së saj në Shqipëri, specialistët dhe historianë të ndryshëm deklaruan se vula nuk është e Skënderbeut. Analiza e specialistëve arriti në përfundimin se ajo është një vulë fiktive. Megjithatë jo të gjithë mendojnë se vula mund të mos i përkas heroit tonë kombëtar. Vula mendohet se u është blerë pasardhësve të Skënderbeut në vitin 1614. Vula është arkivuar në vitin 1838 dhe mban numrin 44. Ajo klasifikohej si objekt i perandorisë osmane. Në qendër të vulës është shqiponja me dy kokë dhe rreth saj mund të dallohen disa germa cirilike ku shkruhet: Alb-Servil.Boulgary. Aleksandro.Eleso”. Poshtë shqiponjës është vizatuar një kafshë duke vrapuar. Vula është prej material bronxi, në të cilën janë gdhendur shenjat heraldike së bashku me emrat. Mendohet se ka përfunduar në oborrin mbretëror të Danimarkës rreth shekullit të 16-të nëpërmjet shkëmbimeve me oborrin austriak. Muzeu Kombëtar i Danimarkës e ka blere vulën në vitin 1839, në një. Përpara se të sillej në këtë muze vula i përkiste dhomës së artit mbretëror danez.
tiranaobserver.al