16 Korrik, 2018 - 8:00 pm
Gjatë një ditë festimesh, organizuar në fshatin Pult të Dukagjinit, rreth 45 kilometër nga qyteti i Shkodrës, banorët organizuan edhe “gjamën e burrave”, një rrit ky tradicional, me të cilin nderoheshin të vdekurit në fshatrat e besimit katolik si në Dukagjin, Nikaj-Mërtur, Pult, Shalë, Shosh, Nën-Mavriq, etj. “Gjama e burrave ” shprehte keqardhjen dhe nderimin e vëllazërisë, shoqërisë, e miqësisë për të vdekurin.
Në një ceremoni vdekje numri i gjamave varionte sipas statusit të personit apo rrethanave tragjike të vdekjes, por nuk mund të kishte më pak se 2 gjama për çdo mashkull të vdekur.
“Gjama e burrave” në fjalorin e shqipes shpjegohet nën termin “gjëmë”, term i cili sot ka marrë kuptim disi më të gjerë, por në themel do të thotë pikërisht “vajtim burrash”.
“Gjama e burrave” është një ritual i trashëguar nga besimet pagane. Gjatë periudhës së komunizmit, gjama e burrave ishte e ndaluar, ndërsa vitet e fundit ajo është shfaqur në disa vdekje të veçanta si dhe ne raste ceremoniale, si pasqyrim i traditës së banorëve të fshatrave të Dukagjinit./ VOA