7 Tetor, 2020 - 5:54 pm
Në vitin 1922, shteti shqiptar arriti një fitore të madhe, njohjen nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me shkresën nr.603, datë 31.3.1922, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, kërkoi nga shtetet europiane dhe SHBA-ja, njohjen e saj. Pas rolit të pazëvendësueshëm të presidentit Wilson në moscenimin territorial të shtetit shqiptar, pranimit në Lidhjen e Kombeve në dhjetor 1920, aktit të nëntorit 1921 të fuqive të mëdha, njohja nga SHBA-ja ishte ngjarje tepër e gëzuar për të gjithë shqiptarët. Këtij akti i paraprinë disa veprime të tjera brenda atij viti.
-14.4.1922, u zhvillua ceremonia e themelimit të Shkollës Teknike në Tiranë .
-Më 17.4.1922, qeveria shtroi një gosti në sallën e MPJ-së (godina e Akademisë së Shkencave sot), ku morën pjesë 16 personalitete, në nderim të kolonelit C.Jeiles. në ceremoni mori pjesë kryetari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar, Ross Hill, ambasadori i Britanisë së Madhe Aires, gjithë ministrat, kryetari i parlamentit, disa deputetë dhe sekretari i përgjithshëm i MPJ-së.
Në numrin 25, datë 3.8.1922, “Fletorja zyrtare”, që sapo kishte marrë emrin e gazetës “Dit e re”, njoftonte se “Amerika na njohu”. Shkrimi ishte përgatitur nga një nëpunës që nuk pëlqeu të vendosë emrin e tij, por vetëm germën “X”. Në të njëjtën numër të fletores, është botuar njoftimi “me gëzim të veçantë” i Ministrisë së Punëve të Jashtme se SHBA-ja njohu Shqipërinë de juro e de fakto.
Pjesë nga artikulli “Amerika na njohu”:
Nji lajm u përhap dhe na ka gëzue: Shtetet e Bashkueme të Amerikës na kanë njoftun! Populli i ynë shef se Shqipnija ka fitue besimin edhe të Amerikës, që diktohet si nji nga kombet ma të përparuerne e qi ndjekë gjurmon nji politikë bujare ndaj poputj e vogjel. Por ne s’mund të lëmë pa vrejtë se në at hov që amerikanët na njohin si njerëz të organizuem, të meritueshëm të kemi marrëdhënie me ta, çohet në këmbë atje ndonjë shqiptar, i cili kombin e vet e pagëzon “Zululand”, e i frynë boris për me lajmue botën se Shqipnia sundohet me mënyra të egra që na ngjallin në mendje kohën e mesjetës. / 55News.al/ Kastriot Dervishi/ KultPlus.com